Sot u ndanë çmimet vjetore në fushën e letërsisë, duke vlerësuar krijimtarinë dhe kontributin e shkrimtarëve në letërsinë shqipe. Ceremonia u mbajt në kabinetin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ku u shpallën fituesit e çmimeve prestigjioze, shkruan Katror.info.
Bajram Kosumi u nderua me Çmimin për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, duke u vlerësuar për kontributin e tij në letërsinë shqipe. Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” iu dha shkrimtarit Ballsor Hoxha, ndërsa Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” i shkoi Donika Dabishevcit. Në kategorinë e letërsisë për fëmijë dhe të rinj, Çmimi “Vehbi Kikaj” u dha për veprën e Dije Demirajt.
Për kritikë letrare dhe eseistikë, Çmimi “Ibrahim Rugova” u nda për Eronita Kqikun dhe Meliza Krasniqin. Ndërkaq, përkthyesi Lorenc Hajdari u nderua me Çmimin për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe.
Gjithashtu, Çmimi i Veçantë për Letërsinë Shqipe iu nda akademikut Rexhep Qosja, në vlerësim të kontributit të tij të çmuar në kulturën dhe letërsinë shqiptare.
Ky event konfirmon rëndësinë e mbështetjes dhe promovimit të letërsisë shqipe, duke inkurajuar krijuesit që të vazhdojnë me angazhimin e tyre në pasurimin e kulturës kombëtare./Katror.info