Baleti Kombëtar i Kosovës do të shfaqë sot, më 04.02.2025, premierën e baletit “Hope”.
Shfaqja do të jepet në ora 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Kjo shfaqje do të jepet në kuadër të 4 shkurtit – Ditës Botërore Kundër Kancerit, shkruan Kallxo.com.
“’Hope’ është një udhëtim emocional që trajton sfidën më të madhe të jetës, përballjen me një sëmundje të rëndë dhe luftën për të ruajtur shpresën. Duke eksploruar kufijtë e forcës njerëzore, dashurisë dhe solidaritetit, baleti na fton të ndjekim një histori që fillon në një moment të brishtë dhe të pasigurt, por që përfundon me triumfin e shpirtit njerëzor.” – thuhet në njoftimin e BKK-së.
Dita Botërore Kundër Kancerit është një ngjarje globale dhe shënohet çdo 4 shkurt, me qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin dhe për të inkurajuar parandalimin, zbulimin e hershëm dhe mjekimin e tij./Katror.info
