Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni përmes një njoftimi në faqen zyrtare të tij në Facebook ka bërë të ditur se në Gala Mbrëmjen që shënon përfundimin e festivalit të përvitshëm “Flaka e Janarit” që mbahet në Gjilan, ka marrë pjesë edhe shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare.
“Ismail Kadare mysafir nderi në Gala Mbrëmje me rastin e përmbylljes së Flakës së Janarit 2024. Në nderim të dëshmorëve, përmes artit e kulturës, duke kujtuar të kaluarën që të ndërtojmë të ardhmen”, tha Hyseni në njoftim.
Në një artikull online thuhet se “Flaka e Janarit” ka filluar më 18 janar 1992, në 10 vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës si dhe Kadri Zekës, duke bërë përurimin e një shtëpie kulturore në fshatin Bresalc të Gjilanit ku u mbajtën dhe pjesë skenike nën përkujdesjen e Teatrit të Qytetit të Gjilanit./Katror.info