Edicioni i 4-të i biennales ndërkombëtare “Autostrada Biennale” do të nisë të premten më 7 korrik . Organizatorët janë duke i bërë përgatitjet e fundit, teksa sivjet stacionohet në Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicë.
Të Gjitha Imazhet do të Zhduken Një Ditë

“Të Gjitha Imazhet do të Zhduken Një Ditë” është një ekspozitë për atë që na bën e që na zhbën, çfarë na thur me njëri- tjetrin e çfarë na shthur, për liritë përtej zgjedhjeve, për të imagjinuarat që rrjedhin pavarësisht nga kufijtë dhe përmatanë tyre, njofton Autostrada Biennale në faqen e tyre të internetit.
“Është një ekspozitë për autobiografitë kolektive që mbahen në arkiva kulturorë, në ata rezervuarë
fjalësh, gjësendesh, yrnekësh, ndjenjash ose keqkuptimesh. Ka të bëjë me lidhjen me të panjohurën. Ajo që është e paarkivueshme na kujton që një ditë, të gjitha imazhet do të zhduken, duke u rrëzuar në gollen e kohës. Prapëseprapë arti mbijeton si gjuhë qëndrese dhe paepurie, si mënyrë për të përligjur të qenët tonë në këtë botë, si një horizont që feks përtej regjimeve sundimtare pamore.”
“Nga tridhjetë projektet e shfaqura këtë vit, shtatëmbëdhjetë janë komisione të reja të cilat i përgjigjen kontekstit lokal dhe shtjellonë temat e autobiografive kolektive, arkivave kulturore, kujtesës shumëdrejtimëshe si dhe shpresës dhe këmbënguljes”, thuhet në njoftimin e tyre.

Organizatorët thonë se bienalja “do t’ju marrë me vete” në një rrugëtim përmes hangarëve të dikurshëm të NATO-s, ku gjendet ekspozita kryesore, dhe më pas në rrugët e Prizrenit e më tej në Prishtinë e në Mitrovicë.
“Ajo nis me një vepër arti që fillimisht ka lëshuar rrënjë në vitin 2021, duke i shkuar diellit pas: Sunflower Fields (Fushat e Lulediellit) nga Agnes Denes (2021-në vazhdim). Ju presin edhe tridhjetë projekte të tjera artistike që me gjuhët e tyre metaforike pyesin: Cilat imazhe i mbajmë dhe përse? Si ia dalin kujtimet e caktuara nga e kaluara dhe nga e ardhmja, qofshin nga një teatër kukullash, nga një shtypshkronjë, nga një libër i shenjtë, nga një lule endemike, nga një mëllenjë, nga një galeri klandestine, nga një skutë fëmijësh, nga një shesh shtegtar lojërash, ose nga një muze i rrënuar, që në mënyrë të vazhdueshme dhe disi të pavetëdijshme të mbijetojnë? Si mund që e kaluara të ndalojë së formuari të tashmen por jo të ardhmen? Dhe si dështojmë t’u përmbahemi vlerave që gjoja se na bashkojnë të gjithëve?”
Autostrada Biennale organizon Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor çdo dy vite që nga viti 2017. Edicionet 3 dhe 4 të Autostrada Biennale janë bashkëkuruar nga Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza dhe zhvillohen në 3 qytete. Me mijëra vizitorë gjatë programit dy mujor, me procesin e krijimit të veprave për kontekste specifike të hapura për publikun, dhe me një përmbajtje të fortë dhe një gjuhë vizuale të shkëlqyeshme, ekspozitat kontribuojnë në zhvillimin e jetës kulturore, edukimit dhe turizmit kulturor, njofton Autostrada Biennale.
Edicioni i 4-të i “Autostrada Biennale” zgjat deri më 9 shtator./Katror.info