Pas një ndërprerjeje të përkohshme për shkak të një defekti teknik, njësia A-4 e Termocentralit Kosova A është rikthyer sërish në funksion të rregullt. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftoi se rikthimi në operim është bërë pas një pune intensive nga ekipet teknike përgjegjëse.
Njësia A-4 ishte ndalur më 14 prill 2025, rreth orës 08:11, për shkak të paraqitjes së një rrjedhjeje në kaldajë. Gjatë ndërprerjes, janë eliminuar të gjitha mangësitë teknike, përfshirë edhe ato në kullën ftohëse dhe në pjesë të tjera të pajisjeve, duke garantuar rritjen e sigurisë së operimit.
KEK bëri të ditur se përgatitjet për rifillimin e njësisë nisën më 21 prill rreth orës 18:55, ndërsa sinkronizimi me rrjetin energjetik u realizua në orën 23:30 të së njëjtës ditë. Aktualisht, njësia A-4 ndodhet në gjendje stabile dhe funksionon në parametra të rregullt teknikë.
Për t’u theksuar është se, përpara ndërprerjes, njësia kishte operuar pa ndërprerje për plot 68 ditë, duke dëshmuar stabilitet dhe efikasitet të lartë në prodhimin e energjisë.
Rikthimi i njësisë A-4 në funksion pritet të kontribuojë në stabilitetin e furnizimit me energji elektrike në vend./Katror.info