Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se integrimi evropian i Kosovës dhe Serbisë është i lidhur ngushtë me procesin e dialogut mes dy vendeve. Në një intervistë për RTK2, ai theksoi se normalizimi i marrëdhënieve është një hap i domosdoshëm drejt anëtarësimit në BE.
“Nuk mund ta imagjinoj se si Serbia apo Kosova mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian pa normalizimin e marrëdhënieve,” u shpreh Orav, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit rajonal.
Ai theksoi gjithashtu se ndihma financiare nga BE është një mjet për të mbështetur reformat dhe përgatitjet për anëtarësim.
Lidhur me procesin e formimit të qeverisë së re në Kosovë, Orav pranoi se vonesat pas zgjedhjeve janë një shqetësim, por theksoi rëndësinë e reflektimit të vullnetit të qytetarëve në qeverisje./Katror.info