Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, nuk ka një përgjigje përfundimtare nëse masat ndëshkuese të Unionit të vendosura Kosovës në qershorin e vitit 2023 mund të hiqen së shpejti.
“Kam frikë se nuk mund t’i jap një përgjigje përfundimtare kësaj pyetjeje”, tha ai në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online.
Në këtë kontekst diplomati estonez vuri në pah rekomandimin e ish-shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, që Këshilli i BE-së t’i heq masat.
“Në dhjetor 2024, Këshilli në konkluzionet e tij për zgjerimin deklaroi se BE-ja gradualisht do t’i heqë masat paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri. Diskutimet brenda Këshillit vazhdojnë dhe vendimi nëse masat do të hiqen përfundimisht i takon 27 vendeve anëtare të BE-së, pasi një vendim i tillë kërkon konsensus”, ka thënë ai.
Ndër të tjera Orav, ka potencuar se kusht thelbësor për rrugën drejt BE-së si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë është normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i obligimeve që derviojnë nga dialogu.
“Kallas dëshiron që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së. Kusht thelbësor për rrugën e BE-së si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë është normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve të Dialogut”, ka shtuar ai./Albanian Post/Katror.info