Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot 26-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, duke e cilësuar 24 marsin si ditën kur “liria mori krahë”, shkruan Katror.info.
Në një postim në Facebook, Osmani theksoi se kjo ishte dita kur aleatët e NATO-s ndërhynë për të mbrojtur një popull që luftonte për ekzistencën e tij, përballë regjimit gjenocidal të Serbisë.
“Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës,” shkroi Osmani.
Ajo gjithashtu kujtoi sakrificat dhe luftën çlirimtare, duke theksuar se nga këto përpjekje lindi Kosova e lirë.
“Nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare, lindi Kosova e lirë! 26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur,” tha ajo.
Presidentja nderoi të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës dhe shprehu mirënjohje për aleatët ndërkombëtarë që ndihmuan në realizimin e kauzës për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe sovrane.
“Lavdi dhe nderim për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit!” përfundoi Osmani./Katror.info