Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Albert Kinolli, shkruan Katror.info.
Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani uroi komunitetin rom në Kosovë, duke theksuar se kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi sfidat dhe arritjet e këtij komuniteti, si dhe për të riafirmuar përkushtimin e institucioneve për respektimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Presidentja vlerësoi kontributin e komunitetit rom në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe demokratike në Kosovë. Ajo theksoi se zëri i komunitetit rom është thelbësor në proceset demokratike dhe përfaqësuese të vendit, dhe se përfshirja aktive e tyre në jetën institucionale është një vlerë që duhet mbështetur e forcuar.
Në takim u diskutua edhe për rolin e mekanizmave si Këshilli Konsultativ për Komunitete dhe rëndësinë e tyre në fuqizimin e pjesëmarrjes së komuniteteve jo-shumicë, veçanërisht komunitetit rom.
Presidentja Osmani potencoi se arsimi është ndër prioritetet kryesore për fuqizimin e të rinjve rom, sidomos për vajzat dhe gratë, duke theksuar nevojën për programe që rrisin qasjen në sistemin arsimor. Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta për punësim dhe përfshirje në jetën publike, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për barazi dhe drejtësi sociale.
Ky takim simbolik, në një ditë me rëndësi të veçantë për komunitetin rom, shënon përkushtimin e Presidencës në ndërtimin e një shoqërie që respekton dhe promovon të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë./Katror.info