Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka konfirmuar se Presidenca ka pranuar shkresën zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), e cila përmban rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve dhe mënyrën e ndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës.
“Sipas Kushtetutës, tani kemi një afat prej 30 ditësh për thirrjen e seancës konstituive,” tha Osmani në një deklaratë për gazetarët pas ceremonisë së certifikimit të ushtarëve të FSK-së në Ferizaj, raporton RTKlive.
Ajo bëri të ditur se ekipi i saj ligjor është duke analizuar procesin përgatitor për këtë seancë, në mënyrë që konstituimi i Kuvendit të jetë i suksesshëm sapo të thirret.
“Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues. Për momentin nuk mund të jap një datë të saktë, por shumë shpejt do ta kemi edhe atë,” theksoi Osmani./Katror.info