Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar sot përmes llogarisë së tij në rrjetin social “Facebook”, se shteti i Kenias ka njohur shtetësinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një fitore të madhe për shtetin e Kosovës dhe një dëshmi e përparimit të saj në arenën ndërkombëtare, shkruan Katror.info.
“Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës,” ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook. Ai ka theksuar se kjo arritje është rezultat i një pune të gjatë dhe të palodhur që nga viti 2009, kur ai filloi lobimin për njohjen e Kosovës nga Kenia.
Duke përmendur angazhimin e tij në këtë proces, ai ka vlerësuar rolin e presidentit të Kenias, William Ruto, i cili që nga vizita e tij në Kosovë në vitin 2019 ka treguar mbështetje për pavarësinë e vendit. “Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia!”
Pacolli i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një ambasadë të përbashkët me Shqipërinë në Nairobi. “Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës!” ka shkruar ai.
Në fund, ai ka falënderuar bashkëpunëtorin e tij Jetlir Zyberaj për angazhimin në këtë proces, si dhe autoritetet shqiptare për mbështetjen. “Kjo është dita kur Kosova u pa, u dëgjua dhe u pranua,” ka përfunduar Pacolli./Katror.info