Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në skena të hapura “PrizrenFest” u përmbyll mbrëmë me shfaqjen “Oranges and Stones” nga trupa palestineze, duke vendosur një pikë të fortë mbi një javë të mbushur me art, emocione dhe ngjyra skenike, shkruan Katror.info.
Gjatë ditëve të festivalit, Prizreni u shndërrua në një qytet-skenë, ku publiku pati rastin të shijojë shfaqje të shumta në ambiente të hapura moderne. Artistë vendorë dhe ndërkombëtarë sollën krijime që pasuruan jetën kulturore të qytetit dhe krijuan një atmosferë unike verore.
Komuna e Prizrenit ka theksuar përkushtimin e saj për të mbështetur ngjarje të tilla kulturore, duke i konsideruar si nxitëse të turizmit dhe jetës artistike në qytet. “PrizrenFest” tashmë është konsoliduar si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, që vendos artin në qendër të hapësirës publike./Katror.info