Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur përurimin e urës së re në Rogovë, një projekt i shumëpritur nga banorët e zonës, ndërtimi i së cilës kishte filluar në prill të vitit të kaluar, shkruan Katror.info.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe zëvendësministrat Hysen Durmishi dhe Jeton Raka. Projekti është konsideruar një nevojë themelore për komunitetin lokal, i cili për vite me radhë kishte kërkuar ndërtimin e kësaj ure që tashmë po i jep fund një pritjeje të gjatë.
Ura e re kalon mbi lumin Drin dhe ka për qëllim të forcojë lidhjen rrugore midis Hasit dhe magjistrales Prizren–Gjakovë. Me një gjatësi prej 134 metrash dhe gjerësi prej 10 metrash, projekti ka kushtuar afro 1 milion euro dhe synon të ofrojë siguri më të madhe dhe lehtësi në qarkullim për banorët e zonës dhe gjithë rrethinën.
Ministri në detyrë, Liburn Aliu, tha se ky investim nuk është vetëm përmirësim infrastrukturor, por edhe dëshmi e përkushtimit institucional ndaj nevojave të qytetarëve./Katror.info