Policia e Kosovës, të premten, nëpërmjet një aksioni policor në Veri të Kosovë, ka mbyllur tri Qendra për Punë Sociale, të cilat kanë vepruar në mënyrë ilegale në Kosovë.
Fillimisht Policia e Kosovës më 8 shkurt arrestoi katër zyrtar të Qendrës Për Punë Sociale në Zubin Potok në lidhje me veprën “cenim i përcaktuesve të votuesve”, e më pastaj me kërkesë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bastisur këto qendra, shkruan Albanian Post.
“Këta zyrtarë të qendrës për punë sociale e cila ishte një strukturë paralele/ilegale dyshohej se kanë thirrur qytetarë të ndryshëm në telefon dhe nën formën e kërcënimit i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë duke i kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie të caktuar politike e cila ishte në garë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë”, ka thënë Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Elshani ka thënë se kontrollet janë kryer me qëllim të zbulimit të provave me të cilat do të vërtetohet mënyra e veprimet të aktivitetit të kundërligjshëm, e që cilësohet si falsifikim i dokumenteve./Katror.info