Më 10 dhe 11 maj 2025, Prishtina do të jetë mikpritëse e edicionit të dytë të konferencës rajonale për teknologji blockchain dhe kriptovaluta, BlockTalk, shkruan Katror.info.
Ngjarja do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës dhe synon të mbledhë bashkë profesionistë të industrisë, investitorë, zhvillues, përfaqësues të startup-eve dhe entuziastë të teknologjisë nga vendi dhe rajoni.
Këtë vit, BlockTalk do të ketë si sponsor kryesor kompaninë globale Binance, një nga platformat më të mëdha për tregtim të kriptovalutave në botë. Për herë të parë në Kosovë, përfaqësues të nivelit të lartë të Binance do të marrin pjesë në një konferencë të këtij formati, duke përfshirë figura të njohura nga ekipi drejtues global.
Ngjarja do të përfshijë panele diskutimi, prezantime, sesione interaktive dhe aktivitete të tjera që prekin tema të ndryshme si zhvillimi i teknologjisë blockchain, potenciali i startup-eve në këtë fushë, përdorimi i kriptovalutave, rregullimet ligjore dhe mundësitë për investime.
Kosova po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një treg me potencial për zhvillim në sektorin teknologjik, për shkak të popullsisë së re, të aftë në fushën digjitale dhe nivelit të lartë të adoptimit të mjeteve alternative të pagesës./Katror.info