Qindra adhurues të muzikës po shijojnë momente të bukura nën qiellin e hapur nën tingujt e muzikës rock dhe blues në festivalin Rock & Blues Music Festival që po mbahet për herë të parë në qytetin e vjetër të Prizrenit
Adrian Berisha, si përzgjedhës I muzikës ndezi atmosferën për adhuruesit e rockut dhe blues music në hapësirën e Parkut Inovativ dhe të Trajnimeve (ITP) në Prizren.
Festivali që mbahet edhe nesër është i hapur për të gjithë pjesëmarrësit, shkruan Katror.info.
Tani po performon këngëtari Menan Kiseri, ndërsa më vonë turmën pritet ta elektrizojë me muzikën unike Playa Band, 3 Musketjerët, Leb i Sol dhe Minatori.

Festivali Rock& Blues në qytetin e Prizrenit është frymëzuar nga vetë fillimet e muzikës rock dhe blues në Kosovë duke pasur parasysh elementet e përbashkëta të muzikës popullore, të kujtesës, historisë, ndjenjës sublime të dashurisë dhe revoltës.
Me qëllimin e vetëm për të promovuar potencialin tonë turistik, përmes Festivalit të Muzikës Rock and Blues në Prizren do të sjellim në skenë grupet dhe artistët më të njohur kombëtar/rajonal dhe ndërkombëtar të muzikës rock dhe blues.

Rock&blues do të ketë si objektiv kryesor edukimin e brezave në këtë zhanër si edhe do të kontribuojë në promovimin e turizmit si një potencial i pashfrytëzuar që do të ndihmojë ekonominë vendase./Katror.info


