Videoklipi i këngës “Zjerm”, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, u publikua në kanalin zyrtar të spektaklit në YouTube, duke shënuar një nisje të fuqishme me mbi 20 mijë shikime brenda orës së parë.
Ky numër i lartë klikimesh e vendos “Zjerm” në krye të listës mes konkurrentëve të tjerë europianë dhe australianë, duke e kthyer në një nga këngët më të komentuara dhe të pritura të këtij edicioni.
Në krahasim me konkurrentët e tjerë, diferenca është domethënëse. Kënga irlandeze ka grumbulluar vetëm 2,200 klikime, ndërsa ajo letoneze 2,700 shikime brenda orës së parë. Britanikët, ndonëse me 7,500 klikime, nuk arrijnë ta sfidojnë suksesin e “Zjerm”, megjithëse videoklipi i tyre ishte publikuar afro 24 orë më parë.
Përveç suksesit në rrjetet sociale, Shqipëria ka tashmë edhe renditjen përfundimtare për skenën e Eurovision. Sipas shortit të hedhur të premten, dyshja e talentuar Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca do të performojnë natën e parë të festivalit më 13 maj, ku pritet të dhurojnë një spektakël të vërtetë.
Kënga “Zjerm” ka fituar zemrat e publikut shqiptar dhe më gjerë, duke u bërë një prej projekteve më të komentuara në rrjetet sociale dhe duke i dhënë Shqipërisë shpresën për një rezultat të denjë në Eurovision 2025./Katror.info