Në muajin që shënon 25-vjetorin e miratimit të Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë organizoi një konferencë njëditore, ku u diskutuan sfidat bashkëkohore që prekin gratë dhe vajzat në mbarë botën.
Konferenca solli në qendër të vëmendjes kërcënimet e reja të shekullit XXI, përfshirë dhunën me bazë gjinore të lehtësuar nga teknologjia, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Pjesëmarrës nga vendet e rajonit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për të fuqizuar rolin dhe vendimmarrjen e grave dhe vajzave, si në hapësirën digjitale ashtu edhe në jetën publike e politike.
Në pjesën përmbyllëse, u ndanë rrëfime prekëse të fëmijëve të luftës nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina — histori që tregojnë përballjen me traumën ndërbrezore dhe transformimin e dhimbjes në forcë e sukses. Këto tregime, u theksua, dëshmojnë rëndësinë e ndërtimit të sistemeve mbështetëse të qëndrueshme për të mbijetuarit e luftës, si bazë për shoqëri më gjithëpërfshirëse, demokratike dhe të zhvilluara./Katror.info









