Qeveria e Kosovës në detyrë ka miratuar kërkesën për huamarrje në vlerë prej 10 milionë eurosh për Telekomin e Kosovës, me qëllim të lehtësimit të vështirësive financiare me të cilat po përballet kjo ndërmarrje publike, shkruan Katror.info.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se pavarësisht përkushtimit të qeverisë për të mbështetur Telekomin, ndërmarrja vazhdon të vuajë pasojat e menaxhimeve të kaluara, të cilat po ndikojnë ende negativisht në funksionimin e saj të përditshëm.
“Paraqes kërkesën për huamarrje në vlerë 10 milionë euro nga Telekomi i Kosovës, e cila kërkon miratimin në parim në qeveri. Me bordin e duhur dhe me përkushtim të qeverisë për ta mbështetur ndërmarrjen, ajo ka filluar që të këndellet. Vështirësitë nuk janë tejkaluar të gjitha, që nga e kaluara e errët që shkakton herë pas here probleme, si në rastin konkret, kur ndërmarrja ka llogari të bllokuara nga një rast i mëhershëm”, deklaroi Murati./Katror.info