Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka themeluar një fond modest për të shpërblyer qytetarët që raportojnë ndotje mjedisore me informata të bazuara në fakte, fotografi apo video. Kjo iniciativë synon të fuqizojë qytetarët në luftën kundër ndotjes dhe të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e natyrës.
Raportimet që dorëzohen ndihmojnë në identifikimin e ndotësve dhe ndaj tyre ndërmerren masa të menjëhershme nga inspektorati komunal. Kryetari Latifi ka garantuar se çdo raportim do të trajtohet me konfidencialitet të plotë, duke ruajtur të fshehta emrin dhe të dhënat personale të qytetarëve.
Sipas ligjeve në fuqi, gjobat për individët që ndotin mjedisin variojnë nga 50 euro deri në 1,000 euro, ndërsa për bizneset gjobat mund të arrijnë deri në 10,000 euro. Ndër rastet që mund të raportohen janë hedhja e mbeturinave në vende të palejuara, ndotja e lumenjve apo e pyjeve, djegia e mbeturinave dhe dëmtimi i hapësirave të gjelbra./Katror.info