Në fund të vitit të kaluar Runiku i tij fluturoi edhe me një “Boing 737” nga Mexico City, më 2024 atë e çoi jo vetëm në kulmin e Muzeut Metropolitan në New York, por në majë të artit botëror. “Liria artistike i bën njerëzit prej krejt botës të lidhen me storien, të lidhen me njerëzit e ndjeshmërinë e tyre”, thotë artisti Petrit Halilaj. Më 2025, paralajmëron mistershëm një projekt, thotë se kultura duhet t’i zbusë frikët në shoqëri, e këtë ai tashmë e ka bërë. Halilaj, që u shqua për art edhe si refugjat lufte në Shqipëri, tash është “refugjat” i artit në krejt globin, shkruan KOHA.
Pasditja e 20 dhjetorit e gjen në Prishtinë. Sivjet – pa përjashtuar vitet e kaluara – ka ekspozuar prej Sydneyt e deri në New York.
“Sa erdha dhe lumturia është e nivelit që nuk përshkruhet”, thotë ai nja dy orë pasi ka aterruar në vendlindje. Rrallë ka artist që lidhjen me vetëlindjen e ka aq të fortë sa Petrit Halilaj. Është marrëdhënie komplekse, pasi rrëfimet e fshatit të tij, Runikut të Skenderajt i ka bërë të dukshme e të zëshme në të katër anët e globit. Për Runikun kanë marrë vesh alamet muzesh deri në Meksikë e në New York. Ka çuar atje ndjeshmëri, izolim, luftë, shpresë e mbi të gjitha ndjenja njerëzore.
“Më intereson që procesi artistik të mos ketë lidhje me politikën. Liria artistike i bën njerëzit prej krejt botës të lidhen me storien, të lidhen me njerëzit e ndjeshmërinë e tyre”, thotë Halilaj.

Lidhja me vendlindjen dhe misteri i projektit të ri
Petrit Halilaj është gjatë gjithë kohës plot jetë. Secilin rrëfim të tijin e mbështjell me njëfarë humori, jo për ta zbehur, por për t’i dhënë më shumë kuptim. Është prej të rrallëve që kurrë s’e thotë një fjalë për kolegët në aspektin negativ. Përkundrazi. Katër-pesë ditët e tij të fundit për këtë vit në Kosovë e çojnë në rreth tre muaj qëndrimin e tërësishëm në vendlindje gjatë krejt vitit. Ka qenë pjesë e Këshillit Iniciues për themelimin e Muzeut të Artit Bashkëkohor dhe po ashtu fondacioni i themeluar prej tij “Hajde” ka punuar në konceptimin e ribërjes së Shtëpisë së Kulturës në Runik. Ndjeshmërinë me finesa që e ka në veprat që punon duket sikur e bart në çdo projekt në të cilin është i përfshirë.
“Sivjet kam qëndruar më gjatë në Kosovë dhe kjo është kënaqësi për mua. Kam qenë në disa procese që më kanë bërë të jem shumë i lidhur me vendlindjen. Kam qenë te Muzeu i Artit Bashkëkohor dhe jam i lumtur që është themeluar me ligj ky institucion”, thotë Halilaj. Shpejt shton se Qeveria duhet të bëjë punët e veta e arti bashkë me artistët të jenë të pavarur. Në shtator të këtij viti Ministria e Kulturës dhe ajo e Punëve të Brendshme e Administratës Publike janë marrë vesh që hapësirat e ish-shtypshkronjës së “Rilindjes” të shfrytëzoheshin për institucionin më të ri muzeor. Halilaj ka pakënaqësi në raport me këtë marrëveshje.
“Ne kemi kërkuar krejt ndërtesën e ‘Rilindjes’. Propozimet tona do të duhej të ishin publike. Të shihet se çfarë është kërkuar dhe çfarë po bëhet. Secili në procese të tilla duhet të jetë shumë transparent. Vizioni që kemi pasur ndoshta mund të mbërrihet në dhjetë e njëzet vjetët e ardhshme”, thotë ai.
Projekti tjetër me peshë për të në Kosovë, është Shtëpia e Kulturës në Runik. Gjatë verës së vitit 2023 Komuna e Skenderajt kishte nisur të pastronte me buldozer mbetjet e atij objekti të harruar për të ngritur një ndërtesë me destinim kulturor e biznesor. Halilaj ishte alarmuar me këtë rast. Ishte aktivizuar fort duke bërë që Komuna e Skenderajt e Ministria e Kulturës të merren vesh për një tjetër qasje në raport me këtë monument. Fondacioni “Hajde” tash ka përsipër implementimin.
“Është ndoshta shembull se si shoqëria civile së bashku me institucionet mund të mendojnë shumë gjëra jo veç për të ndërtuar diçka, por për të ideuar e themeluar diçka duke konsultuar komunitetin dhe duke e bërë funksionale atë hapësirë”, thotë Halilaj. Në janar pritet që projekti të marrë miratimin përfundimtar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ideja është te bashkimi i asaj që ka mbetur nga ish-ndërtesa me një strukturë të re dhe aty të jetë edhe një muze arkeologjik, pasi ajo zonë është tejet e pasur me gjetje të periudhës së neolitit. Okarina ne nam në krejt ish-Jugosllavinë është gjetur aty. Por për vitin tjetër, Halilaj ka paralajmëruar pak nga një projekt i ri.
“Vitin e ardhshëm jam duke menduar ta bëj një projekt të ri. Ky projekt ka me e ndërlidhë Berlinin me Hamburger Bahnhof edhe Kosovën. Nuk mund të tregoj më shumë”, thotë ai.
Viti që nisi në Meksikë dhe pushtimi i New Yorkut
Biseda me Halilajn vetvetiu nis prej Kosovës. Dhe për këtë ka dy arsye. Rrëfimet vendore ia ka treguar botës dhe tash synon që fshati i tij të jetë atraksion jo i vogël. “Eksploatimin” që ia ka bërë Runikut dëshiron t’ia kthejë në benefit.
Thotë se viti 2024 për të ka filluar në Meksikë, për të vazhduar në Bienalen e Sydneyt, më pas në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, një tjetër ekspozitë të tij në këtë vend dhe një tjetër në Barcelonë së bashku me partnerin e tij, Álvaro Urbano.
Në fund të 2023-s një “Boing 737” i “AeroMéxico” i Meksikës qe veshur me veprën e Petrit Halilajt dhe fluturonte në qiellin e dy kontinenteve. “Nga Runiku me dashni”, ishte mesazhi që la artisti i njohur botëror.
“Është një vepër e cila përtej vështirësive kulturore, politike e kufijve fluturon në të gjitha këto vende e lirë dhe trajton temat që unë i trajtoj në ekspozitën personale në Muze”, thotë ai për KOHËN duke iu referuar ekspozitës “Runik” e hapur në Mexico City. Në të dyja anët e avionit ishte ilustruar nga një pulë e madhe. Nëse zbërthehet pak lidhshmëria e Halilajt me ilustrimet si ai në aeroplan, menjëherë del në pah një fshat i Skenderajt, djegia e tij më 1999, lufta në Kosovë e deri te ëndrrat për liri të një adoleshenti që ishte refugjat. Historia zbërthehej edhe më në hapësirën që muzeu i artit bashkëkohor “Tamayo” në Mexico City ku qe hapur ekspozita e Halilajt.
“Me Kosovën është një raport dashurie dhe më bën të ndihem shumë i lirë. Aspekti i lidhjes me një vend të vogël është shumë i veçantë. S’kam ndonjë strategji për të çuar rrëfimet e Kosovës në botë. Krejt lidhet me një intuitë që e kam. Unë inspirohem nga kombinimet komplekse. Pra që kanë më shumë se një send”, thotë Halilaj.
Në prill të 2024-s ai arriti aty ku synon secili krijues në art bashkëkohor: Muzeun Metropolitan të Artit në New York. Tarraca e një prej pikave më të vizituara të artit pamor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në fund të vjeshtës ka pasur rrëfime të gjeneratave të ndryshme në Kosovë e rajonin ballkanik.
“Abetare”, instalacioni poetik skulpturor i Halilajt, ka dërguar atje merimanga, mbishkrime, tituj këngësh, zogj e çka jo tjetër. Përjetime, zhgënjime, shpresë e imagjinatë të fëmijëve që dikur jetonin në ish-Jugosllavi, mandej në Kosovën e viteve ’90 nën okupim, fëmijëve që përjetuan luftën e mesazhe lirie të viteve të para të këtij shekulli. Gjithçka kishte nisur më 2010 kur shkolla e vjetër po zhdukej e të resë po i lëshohej vendi në fshatin e tij. Mbishkrimet mbi banka qenë “lënda e parë” për Halilajn. Artisti i lindur më 1986 e gëzon njëfarë fuqie që ky fshat – jo fort i njohur edhe për banorët e Kosovës – të jetë i pranishëm në majë të një prej muzeve më të njohur në botë.
“Kur e kam zbuluar të kaluarën ta zëmë në Runik, e kam parë që kjo storie është interesante jo veç në Runik por edhe në New York”, thotë Halilaj. Shpjegon se ka dashur që ta shikojë se ku mund të arrihet prej pikënisjes, fshatit të tij. Dhe ia ka dalë të kapë qiellin e Meksikës e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Frika e kuratores në Muzen Metropolitan, Iria Candela ka qenë lidhja e publikut me storiet e vendeve të vogla. Ajo më thoshte se si ka mundësi që ta fusësh krejt Muzeun të flasë për Runikun e zor që ndokush i këtij institucioni mund të gjejë ish-Jugosllavinë në hartë”.
“Kultura duhet t’i zbusë frikët në shoqëri”
Halilaj beson se e ka gjetur njëfarë çelësi për t’i “shitur” rrëfimet vendore. S’i intereson politika e 1001 gjëra të tjera. Kapet te thelbi. Te ndjesia e njerëzve.
“Mua më jep shpresë që mund t’i prekim ndjenjat e njëri-tjetrit si njerëz. Kur kjo kultivohet, njerëzit janë më të bashkuar. Kultura duhet t’i zbusë frikët në shoqëri”, thotë ai.
Tregon se i ka rastisur që në Sydney të pyetet nga një shofer taksie se ku i bie Berlini. E thotë këtë me të qeshur dhe shton se bota është e madhe dhe pos Berlinit njerëzit duhet të dinë se ku gjendet edhe Runiku. E vërtetë se politika s’gjen vend te veprat e tij. Por kur ofron mbishkrimet mbi bankat, ta zëmë të viteve ’90, aty ka përshkrim të situatave nën okupimin serb, shpresë për liri e më pas, në fillim të këtij shekulli, edhe manifestim të lirisë. Vizitorëve u ofrohet njëfarë konteksti emocional dhe u zgjohet kërshëria për rrethanat në të cilët kanë jetuar ata njerëz. Ndjesia që e ofron Halilaj i bën ata që pos ta dinë se ku i bie Runiku, të mos harrojnë shkaku i ndjenjës që kanë përballë rrëfimeve.
“Bota ka parë krejt pak nga Runiku. Prej aty vjen Blerta Haziraj, Njomza Haziraj e shumë e shumë të tjerë”, thotë Halilaj me mburrje. Është prej përkrahësve më të mëdhenj të bashkëvendësve të tij jo veç nga fshati prej ku vjen, por të krejt atyre nga Kosova.
“Artistët e rinj të vendit i shoh si pasuri shumë të madhe kulturore e njerëzore. Nëse e shohim para dhjetë vjetësh dhe sot, komuniteti është shumë më i lidhur. Tash sfida është të kemi bashkëpunime rajonale. Si të bëhemi ne një rajon interesant për ta sjellë botën këtu. Interesante sa në fundjavë, një evropian të vijë në Ballkan. Është e mundshme pasi kemi shumë storie”, thotë ai. Shpejt shton se ideja është një herë në vit njerëzit e rajonit të thonë hajde shkojmë në Runik. Përparimi i shoqërisë kosovare e ngazëllen. Thotë se tash e dy vjet si artist e si qytetar i Kosovës, por edhe si anëtar i komunitetit LGBT+ ka nisur të ndihet mirë në rrugë, në institucione e edhe në shtëpi.
“Nëse e krahasoj kohën me ekspozitën me lule në Bibliotekë, prej atëherë ka qenë rrugë me përparim të madh në këtë aspekt. Kjo nuk do të thotë se kemi mbërritur ku duhet si shoqëri por arritjet janë krenari ngado që shkoj”, ka thënë ai. Në pranverë të 2021-s bashkë me partnerin e tij hapën në Bibliotekë Kombëtare të Kosovës ekspozitën me lule masive, “Lule mos më harro”. Ky titull që vjen si kërkesë, prej artistit që Kosovën nuk e ka harruar asnjëherë. Madje si askush tjetër e ka çuar në muzetë e galeritë më me nam në botë. Këtë e ka bërë Petrit Halilaj i Runikut, dikur refugjat lufte në Shqipëri e tash “refugjat” i artit në krejt globin./Katror.info
Marrë nga KOHA.net