Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se njësia B2 e Termocentralit “Kosova B” është rikthyer me sukses në operim. Sinkronizimi me rrjetin energjetik është realizuar më 10 prill rreth orës 23:39 dhe aktualisht njësia po operon në mënyrë të qëndrueshme dhe brenda parametrave teknikë normalë, ka thënë KEK.
“Ky rikthim në operim është rezultat i angazhimit të jashtëzakonshëm të punëtorëve dhe menaxhmentit të Termocentralit ‘Kosova B’, të cilët kanë punuar pa ndërprerje për sanimin e defektit dhe vënien në funksion të njësisë. Fillimisht, rikthimi ishte planifikuar të ndodhte në orët e hershme të mëngjesit, mirëpo pas kryerjes së provës hidraulike u evidentua nevoja për eliminimin e disa rrjedhjeve shtesë në kaldajë, çka kërkoi një fazë shtesë të ndërhyrjeve teknike”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Vetëm një nga 7 blloqet e dy termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka qenë në funksion gjatë së mërkurës. Blloku B2 me kapacitet prej 250 megavatësh ka dalë jashtë operimit mëngjesin e hershëm të së mërkurës shkaku i një avarie./Katror.info