Në prag të takimit dyditor të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka potencuar rëndësinë që situata e sigurisë në Kosovë të mbetet stabile. Tek ka komentuar sulmet e mëhershme në Banjskë dhe ato ndaj trupave të KFOR-it në Zveçan, ai ka theksuar se Serbia duhet të punojë në drejtimin që autorët të mbahen përgjegjës.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se Serbia duhet të punojë në drejtimin që autorët për sulmin në Banjskë dhe për atë ndaj trupave të KFOR-it në veri të mbahen përgjegjës.
Në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë, që u krye nga një grup i serbëve të armatosur, pati mbetur i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, teksa në maj të një viti më parë me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar në dhunën që shpërtheu kur qytetarë serbë protestuan para objektit komunal në Zveçan kundër vendosjes në to të kryetarëve shqiptarë.
Tek foli në konferencën për shtyp në Bruksel në prag të nisjes së takimit dyditor të ministrave të Jashtëm të NATO-s, Rutte ka thënë se për çështjen e përgjegjësve për sulmet në Banjskë e ndaj trupave të KFOR-it në veri ka diskutuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Për sa i përket Banjskës dhe sulmit ndaj trupave të KFOR-it, serbët duhet të punojnë për përgjegjësi. E kemi folur këtë me Vuçiqin në telefon, por edhe kur kemi drekuar në Bruksel, dy javë më parë”, ka deklaruar Rutte.
Ai ka theksuar se aleanca e NATO-s është e përqendruar në situatën e sigurisë në Kosovë dhe ka shtuar se duhen bërë përpjekje që kjo situatë të mbetet stabile.
E tek ka folur për deklaratën ushtarake të nënshkruar kohëve të fundit midis Kosovës, Kroacisë e Shqipërisë që janë anëtare në NATO, Rutte ka thënë se për të tilla marrëveshje vendet aleate vendosin individualisht.
“Stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shqetësim i madh. Kjo është arsyeja përse NATO-ja është e pranishme në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Kemi pesë aleatë – Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë e Slloveninë, dhe të gjithë punojmë ngushtësisht së bashku, por duhet të përmbahem pak nga komentimi në çdo zhvillim…”, ka thënë Rutte.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s janë mbledhur në Bruksel për takimin dyditor, në të cilin do të diskutohet për përgatitjen e Samitit të ardhshëm që do të mbahet në fund të qershorit në Hagë.
Takimi dyditor që në fokus ka luftën në Ukrainë, nis të enjten, zhvillohet pak kohë pas vizitës së Ruttes në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë.
Këto vizita, zyrtarë të NATO-s i kanë kualifikuar të mërkurën si dëshmi të prekshme se Ballkani Perëndimor mbetet lart në agjendën e Aleancës Veriatlantike.
E një zyrtar i NATO-s, që ka folur për gazetarë para konferencës së Ruttes, e ka vlerësuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor si jetike për Aleancën dhe se nuk do të lejojë që ajo të rrezikohet./Koha.