Kur bahet fjalë për sallata, nji shumicë e njerëzve i mendojnë do gjethe t’gjelbra me pak perime sipër, vaj e uthull dhe e lidhin këtë fjalë me ushqim jo t’bollshëm dhe monoton, por, që nuk asht ashtu e kanë dëshmu 4 super-sallatat tona “ndryshe”.
Sallata ka prej ma t’ndryshmeve, duke përfshi lloj lloj përbërës, që jo domosdoshmërisht janë veç gjethe. Ka edhe sallata që t’ngijnë dhe ofrojnë shije unike e që nime t’kënaqin. E tillë asht edhe sallata gjermane me patate, t’cilën n’disa hapa t’thjeshtë e ke gati, mundesh me marrë me vehte n’punë, me e kombinu me pjata tjera e madje me e servu n’cilindo vakt t’ditës, qoftë edhe si meze.
PËRBËRËSIT:
1.5 kg patate (t’qëruara)
Kripë dhe biber i zi (Opsionale)
4 rriska proshutë (t’prera n’kubëza)
¼ gotë vaj luledielli
1/2 gotë miell
2 gota supë pule (2 gota ujë i vlum’ + 1 kubëz pule)
1/4 gotë uthull molle
1 qepë e kuqe (e prerë imët)
1 lugë gjelle sheqer
2 lugë gjelle kokrra mustarde / senfi
1 tufë qepë t’reja (t’prera n’rriska)
HAPI 1:
N’ujë me pak kripë ziji patatet për 30-35 minuta. Largoji, kulloji mirë, leji me u ftohë.
HAPI 2:
N’tigan t’nxehtë shto vajin dhe kavërdise proshutën për 4 minuta. pastaj largoje proshutën dhe vendose n’nji pjatë tjetër.
HAPI 3:
N’tiganin paraprak shto miellin dhe sheqerin dhe me tel kuzhine përzije deri sa t’krijohet nji masë si pastë.
HAPI 4:
N’nji tigan tjetër shto supën e pulës e gradualisht shto masën me miell duke e përzi me tel kuzhine deri sa t’krijohet nji masë e ngjashme me sosin e beshamellit.
HAPI 5:
Vendose masën e krijume sipër patateve dhe përziji patatet vazhdimisht deri sa t’mbulohen mirë me sos. Shto qepën e grirë, farat e senfit, proshutën e kavërdisun dhe kripë e biber sipas shijes. Poshtu, shto rriskat e qepëve t’njoma sipër. Vendose n’frigorifer për 30 minuta sallatën me u ftohë e pastaj servo.
REZULTATI:
Servoje sallatën gjermane t’patateve si pjatë kryesore apo edhe si paragjellë apo pjatë shoqnuese n’çfarëdo mbledhie, veçanarisht kur organizon ditëlindjet, festat e ahengjet familjare. Poashtu, meqë asht sallatë e ftohtë, mundesh me përgatitë ma shumë e pastaj me e rujtë pjesën e mbetun n’frigorifer. Kësisoji 2-3 ditë mundesh me e konsumu sallatën, besa edhe me e marrë me vehte n’punë për pauzë.
Meqë jemi tek sallatat me patate, provoje kurdo që ki kohë edhe sallatën e patateve me pesto, apo edhe sallatën mediterane me patate, kurse për sallata “ndryshe”, mos e le pa e provu edhe pasta-sallatën kapreze, apo pasta-sallatën me spinaq. Shijo! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria