Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përcjellë urimet e tij për Kosovën me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, duke riafirmuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për vendin, shkruan Katror.info
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju shpreh urimet e mia për rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës – një ngjarje për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një shtet sovran, demokratik, shumëetnik dhe të begatshëm,” thuhet në mesazhin e Rubio-s.
Ai theksoi se paqja, siguria dhe zhvillimi ekonomik rajonal janë thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës. “Ndërsa festoni pavarësinë tuaj, nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta ndërmjet popujve tanë,” përfundon urimi i tij.
Dita e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, shënohet çdo vit me aktivitete dhe ceremoniale zyrtare, duke reflektuar mbi arritjet dhe sfidat e vendit në këto 17 vite shtetësi./Katror.info