Drejtoresha Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, ka reaguar pas njoftimit për vendosjen e tarifave të reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar për pasoja serioze në ekonominë globale, shkruan Katror.info.
Në një deklaratë për media, Georgieva theksoi se FMN-ja është ende duke analizuar ndikimet makroekonomike të këtyre masave, por shtoi se ato “qartësisht përfaqësojnë një rrezik të rëndësishëm për perspektivën globale në një kohë të rritjes së ngadaltë”.
“Është e rëndësishme të shmangen hapat që mund të dëmtojnë më tej ekonominë botërore,” tha ajo, duke u bërë thirrje SHBA-së dhe partnerëve të saj tregtarë që të punojnë në mënyrë konstruktive për të zgjidhur tensionet tregtare dhe për të reduktuar pasigurinë në tregjet ndërkombëtare.
Georgieva njoftoi gjithashtu se FMN do të ndajë analizat e detajuara të ndikimit të tarifave në Perspektivën Ekonomike Botërore, që do të publikohet gjatë Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore më vonë këtë muaj.
Deklarata vjen në një kohë të ndjeshme për ekonominë globale, e cila po përballet me sfida të shumta përfshirë inflacionin e vazhdueshëm, ngadalësimin e rritjes dhe pasigurinë gjeopolitike./Katror.info