Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë i janë drejtuar me një letër publike Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, duke i kërkuar të ndërmjetësojë një marrëveshje politike që do të mundësonte miratimin e buxhetit për vitin 2026 dhe ratifikimin e Marrëveshjeve me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, para shpërbërjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në letrën e përbashkët, organizatat paralajmërojnë se mosmiratimi i buxhetit mund ta fusë vendin në një krizë të rëndë institucionale dhe financiare, duke rrezikuar pagesat për punëtorët e sektorit publik, transferet sociale dhe funksionimin bazik të shtetit.
“Pas skadimit të periudhës së zgjatjes së përkohshme të buxhetit, asnjë organizatë buxhetore nuk mund të autorizojë shpenzime, përveç pagesave për borxhin publik,” thuhet në letër, duke theksuar se një situatë e tillë do të paralizonte pagesat për mësimdhënës, mjekë dhe administratën publike.
Shoqëria civile vlerëson se, në rrethanat aktuale kur nuk ekziston marrëveshje politike për formimin e qeverisë së re, vendi rrezikon jo vetëm paqëndrueshmëri ekonomike, por edhe humbjen e mundësive për të përfituar nga fondet evropiane përmes Planit të Rritjes, marrëveshje që ende nuk janë ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.
Organizatat nënshkruese propozojnë disa masa konkrete, përfshirë:
dorëzimin dhe miratimin e Projektligjit të buxhetit për vitin 2026 nga Qeveria në detyrë;
në rast të pamundësisë për këtë, zgjatjen e buxhetit aktual deri në mars të vitit 2026 për të garantuar funksionimin bazik të shtetit;
ratifikimin e Marrëveshjes së Facilitetit dhe Marrëveshjes së Huasë me Bashkimin Evropian;
dhe përdorimin e procedurave të përshpejtuara në Kuvend për miratimin e këtyre akteve.
“E ardhmja financiare e vendit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk duhet të bëhen peng i bllokadave politike,” thuhet në letër, ndërsa organizatat shprehin besimin se roli unifikues i Presidentes Osmani mund të jetë vendimtar për shmangien e një krize të paprecedentë.
Letra është nënshkruar nga organizata si Instituti GAP, KCSF, INDEP, EPIK, GLPS, KLGI, Balkan Green Foundation, QKSGJ, FIQ, EC Ma Ndryshe, TOKA, PIPS dhe të tjera, që përfaqësojnë spektrin më të gjerë të organizatave të angazhuara në fushën e qeverisjes, demokracisë dhe zhvillimit në Kosovë./Katror.info













