Dita e sotme mund të konsiderohet si historike për Shqipërinë përsa i përket procesit të integrimit evropian. Shqipëria do të hapë negociatat me Bashkimin Evropian. Sot në Luksemburg do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Takimi nis në orën 08:00 dhe do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së.
Pas takimit rreth orës 09:25 pritet një konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.
Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin 1, që përfshin fushat dhe kapitujt e negociatave si:
Funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike
Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
Kriteret ekonomike
Kapitulli 5 – Prokurimi publik
Kapitulli 18 – Statistikat
Kapitulli 32 – Kontrolli financiar
Ky grup kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Shqipëria do të jetë e para ndër vendet kandidate që do të hapë negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, e cila do të jetë një moment kyç për vendin e Ballkanit Perëndimor.
Grupi i parë i kapitujve mbulon reformat themelore, duke i hapur rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave./Katror.info