Skitarja e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag, sonte do të debutojë për Kosovën në garat e Kupës së Botës.
Kështu njoftoi Komiteti Olimpik i Kosovës përmes rrjeteve sociale.
“Skitarja e kërcimeve me ski, Sophie Sorschag, do të debutojë sonte për Kosovën.
Ajo ndodhet në Lillehammer të Norvegjisë, ku prej sot e deri të dielën mbahen garat e Kupës së Botës. Sonte prej orës 20:00 zhvillohen kualifikimet.
Sorschag më parë ka garuar për Austrinë, ndërsa prej këtij viti ka marrë nënshtetësinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Skitarja e njohur austriake vendosi t’i bashkohej Kosovës, të cilën do ta përfaqësojë në garat me ski në eventet e rëndësishme.
Karriera dhe potenciali i saj japin shpresa për medalje historike për Kosovën në sportet dimërore, pse jo edhe në këtë Botëror, por edhe në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Kortina 2026”.
Sorschag, e cila kishte vendosur qysh në janar të këtij viti për ta lënë Austrinë dhe për të garuar për Kosovën në garat ndërkombëtare, është dashur të presë rreth 10 muaj për t’iu dhënë drita e gjelbër nga Federata Ndërkombëtare e Skive (FIS)./Katror.info