Iniciativa “Kosova Bojkoton” ka bërë thirrje për bojkotin e të gjitha supermarketeve në Kosovë gjatë ditës së sotme, në shenjë pakënaqësie ndaj ngritjes së çmimeve, shkruan Katror.info.
Aktivistët e kësaj nisme kanë paralajmëruar aksionin disa ditë më parë, duke shpalosur një pankartë me mbishkrimin “15 Mars, Kosova bojkoton, të gjitha supermarketet”. Sipas tyre, ky bojkot synon të dëshmojë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe të dërgojë një mesazh të qartë për tregtarët dhe qeverinë që të ndërmarrin masa kundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Xhevat Kastrati, anëtar i iniciativës, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në këtë bojkot për të ushtruar presion mbi supermarketet dhe institucionet shtetërore.
“Thirrja për qytetarët është që të bashkohen me ne dhe të ngrisin zërin edhe përmes bojkotit, për të treguar fuqinë tonë blerëse. Kur të gjithë bashkohemi, ne dërgojmë një mesazh të qartë tek supermarketet dhe qeveria, që jemi shumë të pakënaqur me çmimet e larta. Kemi pasur një përkrahje të madhe në rrjetet sociale, por nuk kemi ende të dhëna të sakta mbi përfshirjen në terren. Shpresojmë që pjesëmarrja ka qenë e lartë, pasi kjo është për të mirën e përbashkët”, ka deklaruar Kastrati.
Bojkoti vjen si reagim ndaj rritjes së çmimeve të produkteve bazë, çështje që ka ngjallur shqetësim të madh te qytetarët kohët e fundit./Katror.info