Të gjithë fermerët do të kenë mundësinë të aplikojnë për Programin e Pagesave Direkte/Subvencione 2025, pasi thirrja do të hapet brenda dy javësh, shkruan Katror.info.
Kështu ka njoftuar Ministri i Bujqësisë, Faton Peci përmes rrjeteve sociale.
Gjithashtu janë bërë përpjekje për ta rritur transparencën dhe meritokracinë, procesi i subvencionimit këtë vit do të monitorohet me teknologji të avancuar, përfshirë përdorimin e imazheve satelitore. Kjo qasje do të mundësojë verifikimin e saktë të çdo prone bujqësore, duke siguruar një proces të drejtë dhe duke minimizuar mundësitë për abuzim.
“Këtë vit kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt forcimit të transparencës dhe meritokracisë, pasi procesi i subvencionimit do të monitorohet me teknologjinë më të avancuar, përfshirë imazhet satelitore të fundit”, njoftoi Ministri Faton Peci.
Fermerët inkurajohen të përgatiten për aplikim dhe të përfitojnë nga mbështetja e ofruar përmes këtij programi, i cili synon të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bujqësor në vend./Katror.info