Në mbështetje dhe fuqizimit të vajzave të reja në Kosovë, ylli i muzikës Dua Lipa, në bashkëpunim me Sunny Hill Foundation, ka shpallur një iniciativë të re që synon ta nxisë potencialin e vajzave që studiojnë në fushat STEM.
Përmes fushatës EmpowerHer, do të ndahen 30 bursa për vajzat e reja në fushat STEM , duke hapur rrugë për të ardhme më të ndritur dhe mundësi më të mëdha.
Bursat janë pjesë e misionit më të gjerë të Sunny Hill Foundation, bashkëthemeluar nga Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa. Fondacioni ka promovuar vazhdimisht edukimin, artin dhe zhvillimin e komunitetit në Kosovë, dhe kjo iniciativë e fundit përforcon përkushtimin e tyre ndaj barazisë gjinore dhe fuqizimit të brezit të ardhshëm të liderëve gra.
Fushata EmpowerHer synon vajzat e reja që tregojnë talent të jashtëzakonshëm, ambicie dhe përkushtim ndaj ëndrrave të tyre. Këto bursa do të mundësojnë qasje më të lehtë në arsim dhe trajnime.
Përkushtimi i Dua Lipës shkon përtej kontributeve financiare. Si model dhe avokuese për të drejtat e grave, ajo frymëzon miliona në mbarë botën që të përpiqen për barazi dhe ekselencë. Përpjekjet e vazhdueshme të Sunny Hill Foundation në Kosovë pasqyrojnë një lidhje të thellë me komunitetin dhe një vizion për një shoqëri më përfshirëse dhe të begatë./Katror.info