Çmimet e naftës ranë këto ditë mes shqetësimeve se lufta tregtare e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump do të ngadalësojë ekonominë botërore dhe se Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) po e mbi furnizon tregun.
Ulja e çmimeve të naftës në nivel global pas vendosjes së tarifave nga Trump, sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani do të ndikojë në rënien e çmimit të derivateve të naftës dhe në Kosovë.
Berjani ka thënë se lëvizja e çmimeve të derivateve të naftës, ka filluar që nga sot. Ai tha se për momentin çmimet e derivateve të naftës janë më të ulëtat në rajon tonë.
“Ulja e çmimit të naftës në nivel global do të ndikojë dhe në uljen e çmimit të derivateve të naftës dhe në Kosovë“, tha Berjani, për RTK.
Sipas tij, për gjendjen ekonomike çfarë ka Kosova çmimi real do të duhej të ishte 1 euro, por çmimin e cakton berza dhe organizata prodhuese OPEC.
Ndryshe çmimet në tregun kosovar përafërsisht sillen: nafta 1.22 cent deri 1.30 cent, benzina 1.24 cent deri 1.31 cent.
Ndërkaq çmimet e derivateve në Shqipëri, nafta 1.89 cent dhe benzina 1.88 cent. Ndërkaq në Serbi nafta 1.78. cent dhe benzina 1.79 cent.
Kontratat e ardhshme të naftës në ShBA ranë me 7 për qind në 66.52 dollarë për fuçi, duke bërë që çmimi i naftës krudo të prek ditën e saj më të rëndë që nga korriku i vitit 2022. E nafta e papërpunuar, që është standardi botëror, ra me 6 për qind./RTKlive