Universiteti i Prishtinës ka shpallur konkursin për ndarjen e bursave studentore për vitin akademik 2024/25 në nivelin bachelor. Aplikimet do të jenë të hapura nga 3 deri më 17 mars 2025, deri në orën 15:30.
Të drejtë aplikimi kanë studentët e rregullt të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, të vitit të dytë e më lart, të cilët nuk kanë përsëritur asnjë vit akademik. Për të përfituar bursën, studentët duhet të kenë përfunduar të gjitha provimet e parapara për vitin akademik 2023/24 deri në afatin e shtatorit dhe të kenë një notë mesatare jo më të ulët se 9.00. Për studentët e fakulteteve të Ndërtimtarisë, Arkitekturës, Inxhinierisë Mekanike, Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, si dhe për ata të departamenteve të Matematikës dhe Fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, kriteri i notës mesatare është më i ulët, por nuk mund të jetë nën 8.00.
Përveç përmbushjes së këtyre kritereve, studentët duhet të ndjekin procedurat e aplikimit sipas udhëzimeve të publikuara nga Universiteti i Prishtinës. Informacionet e detajuara mbi kriteret dhe mënyrën e aplikimit janë të disponueshme në njoftimin zyrtar të universitetit.
Universiteti i Prishtinës, që këtë vit shënoi 55-vjetorin e themelimit, mbetet institucioni më i madh dhe më i vjetër i arsimit të lartë në Kosovë./Katror.info