Aktivizmi qytetar e mjedisor ka qenë gjithmonë parimi që e ka udhëhequr fotografin e njohur të natyrës së egër, Arian Mavriqi, në misionin e tij për të mbrojtur biodiversitetin e Kosovës, që tashmë synon ta dokumentojë edhe në letër, përmes nismës së botimit të librit të tij të ri, “Wild Kosova“, shkruan Katror.info.
“Jom ka du me e botu një libri që do të quhet Wild Kosova, i cili do të përfshijë çdo detaj mbi fotografitë e mia nga bota e egër. Nuk jam duke pritur as 200.000€ që dikur i kanë marrë disa shkrimtarë nga Qeveria, as 15.000, as 10.000. Po planifikoj ta realizoj këtë projekt duke printuar dhe shitur fotografi, si dhe bluza me imazhe të realizuara nga unë. Ky do të jetë një libër me cilësi të lartë dhe do ta shpërndaj falas në shumë shkolla, në mënyrë që të shërbejë si material edukativ për gjeneratat e ardhshme. Besoj këtë vit do dal botimi sepse realisht dua të jetë libër që mund të pëdoret per nje kohë të gjatë per cdo gjeneratë”, ishte thirrja e Mavriqit për ndjekësit e tij që t’i bashkohen në këtë nismë.
Si person që prej vitesh dokumenton botën e egër dhe peizazhet e Kosovës përmes fotografisë, këto imazhe dhe fotografi të Mavriqit do të shërbejnë jo vetëm si art, por edhe si mjet ndërgjegjësimi dhe edukimi.
Ky ka qenë një synim i kahershëm i tij — dokumentimet e tij fotografike të bëhen pjesë e kurrikulës shkollore në Kosovë. Për ta realizuar këtë projekt, ai po planifikon ta financojë vetë, me ndihmën e publikut, përmes shitjes së fotografive dhe bluzave.
Ndërkaq, botimi i Wild Kosova s’duhet të lexohet vetëm si nismë artistike, por një akt qytetar që duhet mbështetur nga të gjithë, në një kohë kur biodiversiteti kërcënohet dita e ditës nga urbanizimi, ndotja dhe shpyllëzimi, ndërkaq, botimi i këtij libri dhe implementimi në planprogramet shkollore mund të shërbejë si mjet edukativ për brezat e rinj.
Përmes fokusimit te natyra e Kosovës, ky libër mund të ndihmojë edhe në nxitjen e politikave qeveritare për mbrojtjen e mjedisit dhe të promovojë turizmin e qëndrueshëm. Për më tepër, fakti që Mavriqi synon ta shpërndajë librin falas në shkolla tregon përkushtimin e tij për edukimin e brezave të ardhshëm mbi rëndësinë e ruajtjes së natyrës së vendit tonë./Katror.info