Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se vazhdon shitja e biletave për dy ndeshjet miqësore të Përfaqësueses së Kosovës kundër Armenisë dhe Komoreve. Ndeshja ndaj Armenisë do të zhvillohet më 6 qershor 2025, ndërsa ajo kundër Komoreve më 9 qershor 2025. Të dy takimet do të luhen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00, shkruan Katror.info.
Biletat mund të blihen vetëm online përmes platformës zyrtare në linkun: https://eu.ebileta.al/biglietteria/listaEventiPub.do. Në anën e majtë të faqes duhet të zgjidhni ndeshjen për të cilën dëshironi të blini biletën.
Çmimet e biletave janë të ndara sipas tribunave: për tribunat Veri dhe Jug çmimi është 5 euro, për Lindje është 10 euro, Perëndim 20 euro, ndërsa për zonën VIP çmimi arrin në 80 euro. Një person ka të drejtë të blejë deri në katër bileta.
Për të përfunduar procesin e blerjes, së pari duhet të regjistroheni në platformë. Pas regjistrimit, zgjidhni ndeshjen e dëshiruar, pastaj tribunën dhe ulësen që preferoni. Më pas, vazhdoni me pagesën online. Pas përfundimit të blerjes, duhet të prisni gjenerimin e biletës dhe faturës përkatëse.
Federata fton të gjithë dashamirët e futbollit që të përkrahin përfaqësuesen në këto dy ndeshje dhe të sigurojnë vendin e tyre sa më parë./Katror.info