Plazhi i qelqtë në bregun e Paqësorit të Kalifornisë ka tërhequr vizitorë nga e gjithë bota për disa dekada me pamjen e tij unike dhe guralecat shumëngjyrëshe, që duket se janë bërë prej qelqi.
Glass Bay ose “plazhi i qelqit” ndodhet afër Fort Bragg, Kaliforni. “Guardian” britanik e përfshiu atë ndër plazhet më të bukura në botë, të cilat duhet vizituar.

Ajo që është interesante është se ky plazh është krijuar nga një deponi e mbeturinave. Gjegjësisht, deri në vitin 1967, njerëzit hidhnin mbeturina në këtë plazh, kryesisht nga qelqi. Atë vit kishte një ndalim të plotë për hedhjen e mbeturinave dhe një sasi e madhe mbeturinash u hoq nga ai vend. Ajo që mbeti pas ishte një grumbull xhamash të thyer, që ishte e pamundur të hiqeshin dhe që u mor nga dallgët dhe me kalimin e kohës u formësua në guralecë shumëngjyrësh, për të cilët plazhi u bë i famshëm.

Në këtë plazh nuk ka zhavorr apo rërë, por vetëm “guralecë qelqi” të bukur në të gjitha ngjyrat, gjë që e ka bërë atë një atraksion turistik dhe njerëzit vijnë për ta vizituar nga e gjithë bota.
Tashmë është e paligjshme mbledhja e xhamit në këtë park shtetëror. Shumë shkojnë në këtë plazh për të shijuar pamjen e xhamit shumëngjyrësh, e disa shkojnë në kërkim të rubinëve dhe safirëve, që thuhet gjenden aty.

Pas ndalimit të hedhjes së mbeturinave, u deshën dekada që ky plazh të pastrohet dhe qelqi i pastër mbeti, duke e bërë bregdetin të bukur dhe unik pavarësisht qëllimit të mëparshëm.
Mes plehrave që ndodheshin në deponi kishte makina, kanaçe, xhama e çfarë jo, dhe kësaj here nëna natyrë iu përgjigj duke i kthyer mbeturinat në një plazh të mrekullueshëm. / Katror.info