Qeveria kineze ka vendosur të përfshijë Inteligjencën Artificiale në kurrikulën shkollore duke filluar nga shtatori 2025, si pjesë e një reforme të gjerë në sistemin arsimor.
AI do të integrohet përmes aplikacioneve dhe librave shkollorë në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Nxënësit do të mësojnë konceptet bazë të AI-së, si programimi, robotika, mësimi makinerik dhe etika në AI.
Fillimisht, programi do të pilotohet në shkollat e Pekinit, ku nxënësit do të kenë të paktën tetë orë mësimore të lidhura me AI-në në vit. Kurset do të jenë praktike dhe të ndërlidhura me lëndë si teknologjia e informacionit.
Qëllimi i kësaj nisme është të nxisë të menduarit kritik, zgjidhjen e problemeve dhe kreativitetin tek të rinjtë, si dhe të forcojë pozicionin konkurrues të Kinës në fushën e inovacionit.
Ky hap vjen pas një rritjeje të interesit për AI në universitete dhe mbështetjes së fortë nga presidenti Xi Jinping për të zhvilluar teknologjitë vendase në garën globale të inteligjencës artificiale./AP/Katror.info