Në hapjen e Dokufest-it të sivjetëm është projektuar filmi “A Space Odysse 2001” nga regjisori i famshëm Stanley Kubrick, film nga viti 1968. “A Space Odysse 2001” është shkruar nga shkrimtari i famshem futuristik Arthur C. Clarke dhe trajton fillimet e Inteligjencës Artificiale, dobitë por edhe rreziqet e saj për njerëzimin.
Muzika është e bukur, letërsia po ashtu, por kur e para inspirohet nga e dyta atëherë lindin vepra me të vërtet madhështore. I tillë është albumi konceptual “The Songs from the distance earth” (Këngët nga toka e largët) nga viti 1994 nga kompozitori dhe multi instrumentalisti Mike Oldfield.
Arthur. C Clarke është autor i novelës “Songs from the distance earth” nga viti 1986 me të cilën u inspirua Mike Oldfiel për albumin e tij me të njëjtin titull.
Novela tregon për një koloni njerëzore utopike në një të ardhme të largët, në një planet që vizitohet nga udhëtarët nga një Tokë e shkatërruar, pasi Dielli ka eksploduar në ‘nova’. “The Songs of Distant Earth” eksploron ide apokaliptike, ateiste dhe utopike, teknologjike si dhe efektet e udhëtimit afatgjatë ndëryjor dhe jetës jashtëtokësore.
Në vitin 1993, Oldfield përfundoi turneun e tij 1992–1993 për të promovuar albumin e tij të mëparshëm, Tubular Bells 2 album të cilin e hap me komponimin “Sentinel” po ashtu inspiruar nga tregimet e shkurta nga Arthur C Clarke nga viti 1948. Kur Oldfield ishte gati të niste punën në albumin e radhës, kryetari i labelit Warner Music Rob Dickins sugjeroi që ai të bënte një album konceptual bazuar në romanin futuristik të vitit 1986 Këngët e Tokës së Largët nga shkrimtari dhe vizionari Arthur C. Clarke.
Oldfield e konsideroi romanin jo një nga më të mirët nga Clarke, “por kishte shumë atmosferë” dhe filloi të mendojë për idetë muzikore. Titulli i librit tërhoqi vëmendjen e Oldfield, duke e quajtur atë “në thelb titull muzikor, si një pikënisje e natyrshme për vepër muzikore”.
Por, Oldfield-it nuk i mjaftoi inspirimi nga romani dhe si krijues, i cili nuk i bën gjërat përgjysmë ai viziton Clarke në Shri Lanka ku ai jetonte me vite për të diskutuar mundësinë dhe zbuloi se ai ishte një adhurues i kolonës së tij zanore të filmit të vitit 1984 “The Killing Fields” dhe u ndje i “kënaqur” për albumin. Clark-ut iu dha një kopje e “Tubular Bells II” për ta dëgjuar. Ai ishte mjaft i impresionuar dhe pranoi të bashkëpunonte.
Albumi u regjistrua nga Mike në studion e tij private – do të ishte gabim ta quanim një studio shtëpiake pasi është ndoshta një nga studiot më të sofistikuara të këtij lloji në planet. E bazuar në një tastierë digjitale Neve Capricorn dhe një makineri digjitale multitrack të Sony 48, studioja është pothuajse tërësisht digjitale, me çdo pjesë të pajisjes të sinkronizuar me një orë kryesore qendrore. Shiriti plotësohet nga regjistrimi i hard diskut në formën e Logic Audio/ProTools, madje edhe procesorët e efekteve të jashtme janë plotësisht të integruara në mënyrë digjitale në system.
Menjëherë pas publikimit të albumit në CD dhe LP, u publikua një version i ri CD – ROM me kopertina të ndryshme i cili përmban gjurmë të dhënash me një aplikacion interaktiv dhe video sekuenca.
“Vendosa të bëj diçka që nuk ndiqte saktësisht librin, por i referohej atij dhe tregimeve të tjera nga Arthur C Clarke, dhe më pas më lindi ideja për pjesën interaktive të albumit si një formë e re arti. “Potenciali i albumit dhe koncepti i tij në video interaktiv ishte i madh – për shembull, mund të krijohet një botë me shumë dimensione ku mund të bëni gjithçka që imagjinata juaj mund të mendojë dhe ai softuer kompjuterik 3D do t’ju lejojë të gjeneroni”, thotë ai në nje nga intervistat e tij më 1995, për fillimet e CD interaktiv që i aplikoi në realizimin e këtij albumi.
Oldfield nuk përdori instrumentet e frymëzuara nga folklori për të cilët ishte i famshëm, sepse nuk do të përshtateshin mirë me konceptet fantastiko-shkencore të albumit. Në hapje të albumit, në melodinë “In The Beginning”, Oldfield përdor regjistrim origjinal të huazuar nga NASA të Apollo 8, në të cilin astronauti William Anders lexon Zanafillën – libri i parë i Moisiut bashkë me dy kozmonautët tjerë James Lowel dhe Frank Borman me rastin e arritjes së Apollos 8 në orbitën e Hënës.
Instrumentalet me efekte të mahnitshme të ambientit që krijojnë një përvojë gjithëpërfshirëse për dëgjuesin, simbolizojnë edhe fillimin e udhëtimit të njerëzimit në gjithësi pasi që Apollo 8 ishte fluturakja e parë që lëshoi tokën dhe fluturoi rreth hënës 10 herë. “Let There Be Light” përmban disa jastëkë sintetikë të thjeshtë por shumë ekspresive me linja kitarë, duke i dhënë melodisë një ndjesi të epokës së re. Në komponimet Supernova dhe Magellan, Oldfield eksploroi kombinime të mostrave të regjistrimit në natyrë me kolona instrumentale, duke i dhënë muzikës një teksturë shumë efektive.
“First Landing” është një nga meloditë më ikonike në album dhe kombinon ritmet hipnotike me tinguj oscilatorë me vokale të lartë. “Oceania” dhe “Only Time Will Tell” janë dy kompozime rilindase, kombinim kitarë dhe piano elektronikë.
Influencat e kitarës elektrike dhe muzikës etnike mbretërojnë në “Prayer for the Earth”, një melodi motivuese për ruajtjen e planetit si vend i vetëm ku mund të mbijetojmë. “Lament for Atlantis”, ka një teksturë shumë kinematografike si një shtesë e veçantë në album. “The Chamber” zhytet më thellë në ndikimet e muzikës ambientale, me një aranzhim të harlisur. “Hibernaculum” është një kombinimim unik të baterive dhe modeleve vokale korale. Aty është gjithashtu një sekuencë e këmbanave të famshme Tubulare në “Tubular World”, një paraqitje e preferuar për njohësit e muzikës së Oldfield.
“The Shining Ones” është eksperimenti më i madhi në këtë publikim, dhe ishte mjaft largpamëse për kohën e tij! E njëjta gjë mund të thuhet për “Crystal Clear”, i cili përmban disa ritme dalluese mbi disa tinguj klasikë sintetikë FM. “The Sunken Forest” është një nga momentet atmosferike me efekte zhytëse efektet zanore të regjistruara nën ujë, dhe “Ascension” paralajmëron fundin e tregimit.
Albumi përfundon me një fillim të ri, pasi kënga përfundimtare titullohet “The neë beginning”. Fillimi i ri i ekzekutuar nga një kor me kolona zanore me motive parahistorike, dhe nxjerr në pah shpresën për të qenë në gjendje të fillojë nga e para.
Titujt e këngëve janë dhënë sipas kapitujve të romanit.
Mike Oldfield ka performuar në të gjitha instrumentet ku hyjnë 6 lloje të kitarave, 4 lloje të pianove, të gjitha llojet e baterive, përveç kolonave zanore ku ka edhe tenor edhe soprano. Oldfield si multi-instrumenatlist i ka dhënë përparësi muzikës dhe vizionit që mund të fitojmë duke e dëgjuar albumin prandaj asnjë melodi nuk ka tekst përveç disa këndimeve ritmike gregoriane me motive para historike dhe fraza filozofike dhe shkencore në gjuhen latine si gjuhë e filozofisë dhe shkencës, dhe fraza në gjuhën angleze si gjuhë e tekonologjisë. Në album janë përdorur edhe shumë efekte të registruara në natyrë, ambienti i moqaleve, vullkanëve, erëra të ndryshme ose zëri i albatrosit. Janë përdorur edhe efekte që paraqesin teknologjinë e re, kompjuterizmi dhe teknologjitë kozmike.
Sipas kritikëve të kohës si ata muzikorë por edhe ata letrarë, por edhe nga vetë shkrimtari Arthur C Clarke Oldfield ia ka dalë të transformojë në mënyrë shumë besnike novelën e shkruar në formë muzikore në të cilën dëgjuesi “përjeton” udhëtim në kohë dhe hapësirë.
Në botimin e CD- ROM Arthur C Clarke ka shënuar një parathënie.
“Meqenëse finalja e romanit është një koncert muzikor, u kënaqa kur Mike Oldfield më tha se dëshironte të kompozonte një suitë të frymëzuar prej tij. Më bëri përshtypje veçanërisht muzika që ai shkroi. për “The Killing Fields” dhe tani, pasi kam parë CD-ROM-in e The Songs of Distant Earth, ndjej se ai i ka përmbushur pritjet e mia. Mirë se vini në hapësirë, Majk: ka ende shumë vend këtu.”/Katror.info