Në zbatimin më të fundit të bioteknologjisë, e cila mbështetet në mrekullitë e botës natyrore, një robot metalik i vogël, i butë dhe fleksibël mund të mbështillet si një pangolin për të lëvizur me efikasitet brenda trupit të njeriut.
Shkencëtarët nga Instituti Max Planck për Sistemet Inteligjente në Shtutgart ‘huazuan’ aftësitë e pangolinës, një gjitar me luspa, për të projektuar një robot fleksibël. Aftësia e kësaj kafshe është të lëvizë me të gjitha shtresat e saj të luspave të ndërthurura të keratinës dhe të përkulet në një top kur është e nevojshme, shkruan Katror.info.
I udhëhequr nga studiuesi Metin Sitti, ekipi projektoi një minirobot dy centimetra të gjatë dhe një centimetër të gjerë me predha të mbivendosura që mund të lëvizin, rrotullohen dhe ngrohen sipas kërkesës. Ka një shtresë të butë polimeri të ndërthurur me grimca magnetike dhe një shtresë të sipërme të fortë me ‘predha’ të mbivendosura prej alumini.
Kur roboti është i ekspozuar ndaj një fushe magnetike me frekuencë të ulët, ekspertët mund ta manipulojnë atë në mënyrë që të rrotullohet dhe të lëvizë. Kur mbështillet, pajisja mund të dërgojë grimca si ato të ilaqeve në një vend të synuar në trup.
Më pas, kur ekspozohet ndaj një fushe magnetike me frekuencë të lartë, mund të nxehet në më shumë se 70 °C dhe në atë temperaturë mund të përdoret për të trajtuar gjakderdhjen e brendshme, për të hequr indet e tumorit dhe për të trajtuar trombozën.
Edhe pse kjo nuk është hera e parë që shkencëtarët i drejtohen natyrës për të bërë mini robotë, ajo që e bën të veçantë këtë mini robot është se ai është i përbërë nga elementë të fortë, por mund të lëvizë ende lirshëm, gjë që premton shumë për terapi dhe procedura të caktuara.
Në testet laboratorike, pajisja e ngjashme me pangolinë ishte në gjendje të udhëtonte nëpër indet e buta pa i dëmtuar ato, më pas ndërpreu rrjedhën e gjakut duke ndaluar gjakderdhjen dhe duke e ngrohur atë./Katror.info