Një numër i madh i qytetarëvë të Prishtinës kanë mbushur sot sheshet e Prishtinës, të cilat tradicionalisht në fundvit mbushen me shtëpiza që shërbejnë pije e ushqim për të pritur festat e fundvitit.
Koha me diell në ditën e Krishtlindjeve, ka bërë që shume qytetarë t’ia mesyejnë sheshit afër katedrales, i cili për herë të parë sivjet i dedikohet plotësisht këmbësorëve.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një video në Facebook, ku shihet një numër i madh i qytetarëve në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë.
Rama e ka përcjellë këtë video me mesazhin “S’po na nxajnë sheshet”.
Sot gjithashtu është mbajtur edhe organizimi tradicional “Vrapo Babadimër” dhe fluksi i qytetarëve ka qenë më i madh.

Rama më herët ka paralajmëruar se sheshi do të zgjatet fillimisht deri te Posta e më pas do të zgjatet deri te “Rrethi i Flamurit”.
Rruga “Xhorxh Bush”, është bllokuar për qarkullim të automjeteve në fund të nëntorit dhe është kthyer në shesh për nevoja të qytetarëve.