Para ‘Achtung Baby’, para turneve ndër më të mëdhenj në historinë e muzikës, para se Amerika ta zbulonte grupin U2 dhe t’i nënshtrohej muzikës së tyre, para se Bono Vox, vokalisti i grupit, të bëhej aktivist në çështje humanitare dhe paqësore para se të përzihej edhe në politikë – para gjithë këtyre ishte albumi “The Joshua Tree”( Pema Joshua), i cili ishte i pabesueshëm.
Nga publikimi i tij më 1987 e deri në fillim të shekullit 21, gjysma e industrisë së muzikës ishte nën hijen e “The Joshua Tree” dhe ende rok muzika thith magjinë e këtij albumi.
Live Aid dhe albumi “Unforgettable Fire” (Flaka e paharruar) më 1985 e bën grupin U2 të dukshëm, por U2 më 1987 nuk ishin ende superyje. “The Joshua Tree” shënoi formulën. Disa ngjarje gjatë seancave ndihmuan në formimin e tonit të vetëdijesuar të albumit, duke përfshirë pjesëmarrjen e grupit në koncertet humanitare “Conspiracy of Hope” për Amnesty International, vdekja e mikut të grupit Greg Carroll dhe udhëtimet e vokalistit Bono Vox në Amerikën Qendrore dhe Etiopi.
Zhytja e Bonos në shkrimet e Norman Mailer, novelist dhe Raymond Carver, poet amerikan ose preokupimi i tij me shkretëtirën amerikane me të njëjtin emër (Joshua Tree) që i jep albumit konceptin e tij të lirë, ikja e grupit nga rrymat e postpunkut dhe afrimi më i thellë ndaj filozofisë Dylaniane po ashtu kanë ndikuar, por në të vërtetë, fjala operative kur bëhet fjalë për “The Joshua Tree” është ‘Album shumë i madh’.
“The Joshua Tree” ishte albumi i pestë i shumëpritur nga U2, i realizuar në pranverën e vitit 1987. Edhe pse jo album vërtetë “konceptual”, ai u frymëzua në mënyrë uniforme nga Shtetet e Bashkuara, gjeografia, migrimi letërsia, politika dhe kombi.
Albumi është i ndikuar nga muzika me rrënjë amerikane dhe irlandeze, dhe përmes teksteve të ndërgjegjshme sociopolitike të zbukuruara me imazhe shpirtërore, ai vë në kontrast antipatinë e grupit për “Amerikën e vërtetë” me magjepsjen e tyre me “Amerikën mitike”.
Grupit dhe produksionit iu desh shumë kohë për të formuluar dhe prodhuar albumin (gati dy vite) duke krijuar shumë pritje mes fansave.
Producentë ishin Daniel Lanois dhe Brian Eno, të dy me përvojë që në konton e tyre të produksioneve kishin David Bowie-n, Peter Gabriel, Neil Young etj. Qëllimi i tyre ishte një tingull më i fortë tronditës për grupin ndërsa eksploronin strukturat e këngëve jokonvencionale. Gjatë gjithë sesioneve të vitit 1986, U2 u përpoq për një cilësi “kinematike” për inçizim, duke përfshirë peizazhin amerikan si një sfond ambiental i këngëve, në tekste dhe në këndim me vokale të ashpra, dhe konsiderohet se këndimet e Bonos në këtë album gati se ishin në kufijtë e mundësive vokale në muzikën moderne.
Shumë nga ato tekste u ndikuan nga shkrimtarët amerikanë që vokalisti Bono (Paul David Hewson) kishte lexuar në atë kohë. Kitaristi Edge (David Howell Evans) krijoi standarde të reja në rifet e kitarës të cilët u kopjuan vite me radhë. Në aspektin muzikor, megjithëse të gjithë anëtarët e grupit kishin ide të ndryshme se si t’i qaseshin këtij albumi, të gjithë ranë dakord se ndiheshin të shkëputur nga dominanti i sintezës pop dhe tendencat e tjera muzikore të kohës.
Albumi fillon me njërin ndër introt më të mrekullueshëm në muzikën moderne, gati dy minutësh, me pritje për “Where the Streets Have No Name”(Atje ku rrugët nuk kanë emër), “The Joshua Tree” ka minutën e parë më të mirë të bërë në ndonjë album ndonjëherë. Eshtë linjë melodike e trishtuar, por madhështore dhe fisnike. Kënga fillon me një ndërtim tepër të ngadaltë, me një organo të thjeshtë duke u “shpërthyer” nga rifet hiper-arpexhio nga kitaristi The Edge, rife më shpërthyes ndonjëher në në kitarë.
Kjo pasohet më pas nga seksioni me ritëm të fortë dhe “rrotullues” i Adam Clayton në bas dhe Larry Mullen, Jr. në bateri, me vokalet e mprehta të Bonos që nuk hyn në këngë gati deri në minutën e dytë. Kënga është një himn për të jetuar i lirë në një botë plot shtrëngime dhe është një nga këngët më frymëzuese të realizuara ndonjëherë nga U2.
Kënga është shpallur në shumë lista si një ndër momentet më ngazëllyese muzikore. Për shkak të kompleksitetit të kompozimit dhe ndryshimeve të shpeshta të produksionit, producenti Lanois e quajti “kënga e projektit shkencor”, ndërsa Eno vlerësoi se gjysma e seancave të albumit u shpenzuan duke u përpjekur për të inçizuar një version të përshtatshëm të këngës. Bono e shkroi tekstin gjatë një vizite në Etiopi, e cila në atë kohë ishte e shkatërruar nga uria, por në të vërtetë fillimisht kënga i ishte dedikuar rrugëve të Dublinit ku anëtarët e grupit kishin kaluar fëmijërinë.
“I Still haven’t found what I’m looking for” (Ende nuk e kam gjetur atë që po kërkoj) e ka origjinën nga një model ritmi nga bateristi Larry Mullen Jr. me tekste të ndikuara nga muzika gospel amerikane. Kënga përshkruan dëshirën shpirtërore, të theksuar në vokalet e Bonos. Titulli i këngës u ndikua nga vargjet e Bob Dylan nga kënga “Idiot Wind”- do ta kuptosh se kur të arrish majën, je në vërtet në fund…”, duke sugjeruar përsëritjen e jetës dhe kërkimin e pafund për lumturinë. Kënga ka qenë shumë e preferuar nga diaspora, “kyrbetqarët” irlandezë, të cilët llogariten se janë mbi 30 milionë pasardhës në Amerikë. “I Still Haven’t Found What I’m Looking For”, është pa dyshim shembulli më i madh i ndikimit të muzikës amerikane në U2.
“With or Without You” ishte kënga e parë dhe ndoshta më e njohur nga “The Joshua Tree” që botohet si single. Kjo këngë himnike e fuqishme jep një ritregim të fortë dhe emocional të një marrëdhënieje jo të shëndetshme, e përmbledhur në mënyrë të përsosur në vargjet, “Duart e mia janë të lidhura, trupi im është i mavijosur, ajo më ka aty, ku nuk ka asgjë për t’u fituar dhe asgjë për t’u humbur.” Kënga futet në mënyrë të shkëlqyeshme në dëshpërim të mëtejshëm e të mëtejshëm, i portretizuar me kaq saktësi nga talenti vokal i jashtëzakonshëm i Bonos, i cili fillon si në përshpëritje e thellë kohë pas kohe kalon në falsetto dhe përfundon si shpërthim i një britme emocionale gati në vajtim. “With or Without You” i ka rezistuar vërtet provës së kohës si një nga këngët më të mira të U2. Kënga fillimisht u refuzua nga grupi dhe producentët, por Bono ripunoi këngën me mikun Gavin Friday muzicient dhe kompozitor Irlandez dhe i dha këngës një jetë të dytë.
Të tri këto këngë të para në album trajtojnë edhe ndjenjen e largimit dhe mallin për gjërat që lihen pas. “Bullet the Blue Sky” (Plumbi në qiellin blu) me tinguj të kitarave të Edge, të denjur edhe për Jimi Hendrix është një këngë për përfshirjen amerikane në Luftën Civile të El Salvadorit të viteve 1980, me vokale agresive dhe të forta të Bonos ku vërehet mllefi ndaj përfshirjes amerikane në Salvador. Amerika Latine ishte gjithashtu subjekt i këngës përmbyllëse të albumit “Mothers of the Disappeared” (Nënat e të Zhdukurve) shkruar për “Madres de Plaza de Mayo”, një grup grash, fëmijët e të cilave ishin “zhdukur” nën diktatura të ndryshme.
U2 në album eksplorojnë edhe nën-zhanre të ndryshme të muzikës amerikane. “Running to Stand Still” (Vrapimi për të qëndruar i qetë) u shkrua në kontekstin e epidemisë së varësisë nga heroina në Dublin të viteve 1980. Vdekja nga varësia e heroinit të këngëtarit të Thin Lizzy, Phil Lynott, gjithashtu rezonoi me U2 në atë kohë. Muzikalisht është ndikuar nga blues akustik me një lirikë dhe ambient që kthehet në vendlindjen e grupit në Dublin, Irlandë. “Red Hill Mining Town” (Qyteti i minierave te kodra e kuqe) është një këngë folk, e ndikuar drejtpërdrejt nga Bob Dylan, të cilin Bono e takoi për herë të parë në vitin 1984. Fokusi i këngës është në grevën e Unionit Kombëtar të Minatorëve të vitit 1984 në Britaninë e Madhe që ndodhi në përgjigje të fushatës së Bordit Kombëtar për mbylljen e minierave jofitimprurëse.
“Trip Through Your Wires” (Udhëtim përmes telave tua) përmban një blues dremitje të ëmbël himn dhe mirënjohje dashurisë. “Exit” (Dalja) është produkt i errët nga një jam sesion. Kënga portretizon mendjen e një vrasësi serial, teksti u frymëzua nga novela “Kënga e ekzekutuesit” të vitit 1980 të Norman Mailer.
Shkretëtira ishte shumë simbolike në “The Joshua Tree” (Joshua Tree është një monument dhe park kombëtar në shkretëtirën Mohave në Kaliforni) dhe “In God’s Country” (Në tokën e Zotit) e vendos bukur këtë imazh në muzikë. Ishte përpjekja më e hapur e grupit për një këngë bashkëkohore rock në album. Kënga me ritëm të lartë ishte e vështirë për t’u regjistruar dhe versionet e hershme të këngës u shkruan për Irlandën para se të bëhej zhvendosja në Amerikë.
Një nga momentet më emocionuese të albumit është kënga “One Tree Hill” (Kodra e një peme) e cila u shkrua në kujtim të Greg Carroll, Maor i ri, nativ nga Zelanda e Re të cilin grupi e takoi për herë të parë në Auckland gjatë turneut “Unforgettable Fire” më 1984. Ai u bë mik shumë i ngushtë me këngëtarin Bono dhe më vonë me insistimin e Bonos zhvendoset në Irlandë dhe shërbeu si Roadi për grupin.
Carroll e humb jetën në korrik 1986 në një aksident me motor në Dublin. Pas ceremonialit “tangihanga” (funeral Maor) të Carroll në Zelandën e Re, Bono shkroi tekstin e “One Tree Hill” në kujtim të tij. Teksti pasqyron mendimet e Bonos gjatë “tangi funeral” dhe gjatë natës së tij të parë në Zelandën e Re, kur Carroll e çoi në kodrën “One Tree” një kodër vullkanike e shenjtë për Maorët e Zelandës së Re. Ata gjithashtu bënë homazhe për kantautorin dhe aktivistin kilian Víctor Jara. Muzikalisht, kënga u zhvillua në një sesion të vetëm me producentin Brian Eno. Vokalet u inçizuan në një moment të vetëm, pasi Bono u ndje i paaftë emocionalisht për ta kënduar për herë të dytë.
Prirja e grupit për adresimin e çështjeve politike dhe sociale, si dhe përshkrimi i tyre i qëndrueshëm në fotografitë bardh e zi në kopertinat e albumit, kontribuan në imazhin serioz të grupit si “pelegrin me fytyrë të gurit”. Eksplorimi i vazhdueshëm i grupit të muzikës amerikane për projektin u etiketua “pretencioz”.
“The Joshua Tree” i dha U2-së statusin e megastarit, u shit në 25 milionë kopje, la një trashëgimi të madhe duke ndezur konceptin në një milion grupe të reja se ishte e mundur të ishin të mëdhenj pa qenë Madona, Michael Jasckson ose Phil Collins. Sot mund të gjendet tingulli epik i tyre përmes punës së Coldplay, Snow Patrol, Kings Of Leon. Edhe Noel Gallagher nga grupi Oasis ka vënë në dukje se “nëse do ta shkruante një këngë si “Running To Stand Still” do të vdiste i lumtur”.
The Joshua Tree është vlerësuar nga shkrimtarët dhe kritikët muzikorë si një nga albumet më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Albumi u zgjodh për t’u ruajtur në Regjistrin Kombëtar në Bibliotekën e Kongresit të SHBA – ve për t’u konsideruar “kulturalisht, historikisht dhe estetikisht i rëndësishëm”. Është e vetmja vepër irlandeze që është nderuar kaq shumë.
The Joshua Tree’ ishte albumi që i nxori U2 nga bota e muzikës alternative, duke i çimentuar si një nga grupet më të mëdha në botë. Megjithatë, në vend që të shisnin për t’i përfituar turmat e pop-it, ata sollën muzikë alternative në botën e popit, duke ndryshuar përgjithmonë atë që ishte në gjendje të bënte rock-u alternativ. Për këtë arsye, “The Joshua Tree” është ende pa dyshim albumi më i madh alternativ rock i të të gjitha kohërave.
U2 rishpiku veten në vitet ‘90-ta. Ata inkorporuan rock alternativ, muzikë elektronike, rok industrial. Adoptuan një imazh më ironik, me anë të të cilit ata përqafuan identitetin “rock star” me të cilin luftuan në vitet e ‘80-ta. Bono iu referua albumit të tyre të vitit 1991 “Achtung Baby” si zëri i katër njerëzve që tentojnë të shkurtojnë pemën e Joshuas duke pretenduar se duan t’i ikin famës që e kanë fituar me “The Joshua Tree”. Por, ajo pemë tani ka rrënjët të thella dhe vazhdon ende të jetojë./Katror.info