Po ushtrihesh rregullisht, fle mirë, ushqehesh kujdesshëm – dhe megjithatë, energjia mungon. Ndihesh sikur diçka po të thith fuqinë gjatë ditës, por nuk di pse. Ndoshta arsyeja nuk është tek stresi apo angazhimet, por tek luhatjet e glukozës në gjak.
Glukoza është burimi kryesor i energjisë për trupin. Kur nivelet e saj rriten dhe bien shpejt, shfaqet lodhja, nervozizmi dhe dëshira për ëmbëlsira – një cikël që të lë pa energji dhe pa përqendrim.
Lajmi i mirë? Balancimi i sheqerit në gjak nuk është aq i vështirë sa duket. Mjaftojnë disa ndryshime të vogla në stilin tënd të të ushqyerit dhe të jetesës:
1. Përziej karbohidratet me proteina
Një vakt me bukë, makarona apo patate pa asgjë tjetër, çon në një rritje të menjëhershme të sheqerit në gjak – e ndjekur nga një rënie po aq e shpejtë. Kjo do të të lërë të uritur dhe të lodhur. Shtimi i proteinave si mishi i bardhë, veza, djathi ose bishtajoret, ndihmon në përthithjen më të ngadaltë të karbohidrateve – duke ruajtur energjinë të qëndrueshme.
2. Evito karbohidratet në formë të lëngshme
Lëngjet e frutave, pijet energjike apo edhe smoothies “të shëndetshme” përmbajnë sheqer që përthithet menjëherë – duke shkaktuar luhatje të glukozës. Zgjidh alternativa më të qëndrueshme si fruti i freskët ose uji me limon, kastravec apo mente për freski dhe hidratim pa rritje të papritur të sheqerit.
3. Mos rri shumë gjatë pa ngrënë
Nëse kalojnë shumë orë mes vakteve, trupi hyn në “modalitet stresi” dhe fillon të shpenzojë muskuj në vend të yndyrës. Zgjidhja? Një snack i vogël çdo 3-4 orë – si një frut me arra ose një kos – të mban të ngopur dhe stabil.
4. Ha diçka menjëherë pasi zgjohesh
Pas orësh të gjata gjumi, trupi ka nevojë për energji. Edhe diçka e vogël si një copë djathë apo pak kos është e mjaftueshme për të nisur ditën me energji. Mos e anashkalo këtë hap!
5. Mos stërvitu me stomakun bosh
Ushtrimet në mëngjes me barkun bosh mund të shkaktojnë humbje të masës muskulore. Një snack i vogël – si një fetë bukë me gjalpë arrash apo pak kos – mjafton për të mbrojtur muskujt dhe për të pasur një stërvitje më efektive.
Ndryshime të vogla, rezultat i madh
Nuk ke nevojë për rregulla të rrepta. Vetëm disa përshtatje të thjeshta mund ta përmirësojnë përditshmërinë tënde – më shumë energji, më pak uritje dhe humor më i qëndrueshëm. Dhe po, ëmbëlsirat janë të lejuara – me masë dhe ndërgjegje./Katror.info