T’u u ndreçë koha e t’u ju afru verës po shkojnë t’u u shtu ditët e netët e shoqnume me mish, perime, birra e skarë. E nëse je merakli/ke i/e perimeve atëherë ne e kemi nji recetë simpatike dhe plot shije, e që po e provove jemi t’bindun që ke me e përgatitë ma shpesh e ke me e kombinu n’mënyra t’ndryshme n’raste ‘ttilla..
Perimet e pjekuna me mish pule n’shtagë janë kombinimi që i shkon secilës pjatë – veçanarisht ditëve e netëve kur je mbledhë me familje e miqë e kur e dhezë skarën. Ato madje munden lehtësisht me u kombinu me lloje t’ndryshme t’ushqimeve qoftë t’nxehta a t’ftohta, e që kësisoji ti mundesh me i kursy edhe t’nesërmen vehtes kohë.
PËRBËRËSIT:
300 gr file pule (t’prera n’kubëza)
4 thelpinj hudhër (t’grirë imët)
1 qepë e kuqe (e prerë n’copë)
1 spec i kuq paprika (i prerë n’copë)
1 spec i gjelber paprika (i prerë n’copë)
4 lugë gjelle vaj ullinj
1 lugë e mesme oregano
1/2 lugë çaji kripë
1/2 lugë çaji kanellë
1/2 lugë çaji biber i kuq
Langu i 1 limoni
HAPI 1:
N’nji enë t’thellë shto vajin, hudhrat e grira dhe erëzat dhe me tel kuzhine përzije masën mirë deri sa t’krijohet nji masë e njitrajtshme.
HAPI 2:
Shto kubëzat e pulës n’pjatën me marinadë dhe përziji ato mirë deri sa ta përthithin marinadën.
HAPI 3:
Merr shkopthat e skarës dhe fillo nguliti mishin dhe perimet nji pas nji n’to. Sigurohu që prej t’gjitha perimeve me pas’ ngapak. Me brushë gatimi lyji perimet dhe mishin sipër dhe vendosi n’skarë apo n’tigan skare. Pjeki n’t’2 anët nga 10 minuta dhe servo.
REZULTATI:
Servoji shtagat me pulë dhe perime me ndonji pjatë orizi a bullguri dhe shfrytëzoji ato për me ta shoqnu cilëndo pjatë kryesore. Ne ta rekomandojmë me i shoqnu ato, njilloj sikurse edhe perimet klasike n’skarë me sallatë patatesh me mustardë, ose me sallatën mediterane t’patateve – për opsione vegjetariane. Ndërkaq, për pjata me mish, ne ta rekomandojmë me i shoqnu perimet me qofte greke, ose me shniclle pule.
E mbasi veç jemi te ushqimet e mira dhe plot shije, e që përmbajnë shumë perime, mos e le pa e provu edhe supën marokane me thjerrëza dhe perime, supën me domate, ose supën me speca t’kuq – receta këto që asht gjynah mos me i kërku t’paktën nji herë. Shijo! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria