Shumë njerëz që fillojnë një program të ri ushtrimesh presin të shohin rezultate të menjëhershme, por ekspertët thonë se ndryshimet fizike mund të kërkojnë disa javë, shkruan CNN, transmeton Katror.info.
Sipas dietologes Angie Asche, ndryshimet e para mund të shfaqen pas dy deri në katër javësh, ndërsa për shumë persona mund të duhen gjashtë deri në dymbëdhjetë javë për të vërejtur përmirësime të dukshme. Faktorë si mosha, gjinia dhe metabolizmi ndikojnë në kohën që duhet për të parë rezultatet.
Ndikimet e ushtrimeve në organizëm
Edhe pse rezultatet fizike mund të kërkojnë kohë, ushtrimet sjellin përfitime të menjëhershme për shëndetin. Studiuesit theksojnë se aktiviteti fizik ndihmon në:
- Uljen e presionit të gjakut, falë qarkullimit më të mirë të gjakut.
- Reduktimin e rrezikut për sëmundje të zemrës, diabetit dhe disa lloje kanceri.
- Përmirësimin e gjumit dhe shëndetit mendor

Si të përshpejtoni rezultatet?
Ekspertët sugjerojnë disa hapa që mund të ndihmojnë në arritjen më të shpejtë të qëllimeve fizike:
- Ushtrime me intensitet të lartë – Aktivitetet si vrapimi japin rezultate më të shpejta krahasuar me rutinat me ndikim më të ulët si yoga.
- Më shumë lëvizje gjatë ditës – Ecja e shkurtër çdo orë apo qëndrimi në këmbë gjatë punës mund të ndikojë pozitivisht.
- Rregullimi i dietës – Konsumimi i më shumë frutave, perimeve dhe proteinave të shëndetshme ndihmon në menaxhimin e peshës.
Motivimi për të vazhduar
Pavarësisht vonesave në rezultate, ushtrimet mbeten një nga mënyrat më të mira për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe jetëgjatësinë. Për më tepër, ato ndihmojnë në redukimin e stresit dhe përmirësimin e humorit, duke u bërë një pjesë thelbësore e një stili jetese të shëndetshëm. /Katror.info
Përgatiti:
