Na popujt e Ballkanit dihet që sa jemi t’ndryshëm, aq jemi edhe t’njejtë. E kur flasim për ngjashmëri, nji sen na karakterizon t’gjithëve, që vikendet mëngjeset e drekat kemi qejf me i kalu t’u përgatitë e t’u hangër “trajt”, ose me thanë n’mënyrë pak ma moderne “brumëra”. Petulla, llokuma, pite, laknor e krelanë t’kallamojt janë veç disa prej gatesave që na u kujtunë e që nime i jepin lezet vikendeve te shpija, por ama, as pallaqinkat nuk kanë qysh mundojnë ndonji t’shtune a t’dille. Madje, ato e justifikojnë edhe nanën që ta prishë gjumin për me u çu me hangër.
Pallaqinkat, apo ndryshe t’njohuna si “Crepes” janë nji ndër ushqimet e preferume kudo nëpër botë. T’shoqnume me çkado t’ambël, ato kanë arritë me e ba mëngjesin nji vakt n’t’cilin “ambëlsina” asht e justifikushme për konsum. E ti, e ke rastin me e mësu recetën autentike franceze t’krepave n’disa hapa t’thjeshtë.
PËRBËRËSIT:
1 gotë miell
1/2 lugë çaji kripë
1/2 lugë çaji sheqer
2 ve (n’temperaturë dhome)
1 gotë qumësht (i vakët)
3 lugë gjelle gjalpë (e shkrirë)
1/4 gotë ujë
2 lugë gjelle vaj gatimi, për tiganin
PËRBËRËSIT OPSIONAL PËR SHIJE:
Reçel dredhëzash
Sos boronicash
Kompot molle
Kompot dardhe
Jogurt grek (kos pa yndyrë)
HAPI 1:
N’nji enë t’thellë shto miellin, kripën dhe sheqerin e përziji me tel kuzhine. Shto ujin, qumështin dhe gjalpin e shkrirë.
HAPI 2:
Përzije masën me tel deri sa t’krijohet nji masë e njitrajtshme dhe deri sa t’mos kesh n’masë kokrra t’mbledhuna mielli.
HAPI 3:
Nxeje tiganin n’temperaturë t’naltë, lyje tiganin me brushë gatimi dhe ule temperaturën e tiganit n’mesatare.
HAPI 4:
Shto me pehar / gorduzhdë pak prej masës n’tigan dhe shpërndaje masën n’krejt sipërfaqen duke e lëvizë tiganin.
HAPI 5:
Leje pallaqinkën me u pjekë për 4 minuta n’anën e parë dhe për 2 minuta t’tjerë n’anën e dytë. Pas çdo përgatitje largo pallaqinkat e vendosi n’nji pjatë, kurse tiganin lyje me vaj.
HAPI 6:
Mbuloji pallaqinkat me nji pecetë t’pastër që mos me u forcu e as mos me u avullu.
HAPI 7:
Merr pallaqinkat e lyji me 2 lugë gjelle jogurt grek (jogurt pa yndyrë) dhe 1 lugë gjelle sos boronice t’përgatitun n’shtëpi. Ti poashtu mundesh me i ly pallaqinkat edhe me reçelin e dredhëzave (që n’10 minuta mundesh me e ba vet). Paloji ose n’formë rollate, ose n’formë trekandëshi pallaqinkat e servoji.
REZULTATI:
As marmellatat e ndryshme e as aerokremi nuk përjashtohen n’kombinimet e mundshme. Ti madje mundesh me shtu edhe copëza frutash n’krepat e tu; dredhëz, boronica, banane, manaferra etj për ekstra shije. Ti mundesh me i shoqnu pallaqinkat edhe me njanën prej 3 smoothie-ve me dredhëza e me e shiju këtë mëngjes kampionësh, njilloj sikurse kur i përgatitë petullat amerikane. Shijo! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria