Idetë e ndryshme për ushqim, servim dhe dekorim t’pjatave festive janë element i randësishëm i cilësdo festë. Kujdesi për detaje, servim e dekorim asht hap i randësishëm dhe që e ban diferencën n’raste ma speciale. Pjatat festive nime i japin hijeshi edhe ma shumë secilës tryezë, veçanarisht kur kemi motive t’mëdhaja për me nda gëzimin me ma t’dashtunit tanë. E që nuk don diskutim sa e randësishme asht nji meny e begatume dhe e kurume mirë e dëshmojnë ma s’miri eventet sikurse janë ditëlindjet e ma t’dashurve tanë – picimulëve simpatik.
N’qoftë se je ka e organizon nji “Jungle themed party” për nji vocërrak/e dhe je n’kërkim t’recetave e t’pjatave interesante dhe unike si n’shije ashtu edhe n’pamje, atëherë qe ku t’i kemi mbledhë idetë ma t’mira t’mundshme n’nji artikull t’vetëm dhe ta kemi shpjegu se qysh mundesh secilën prej tyre me e realizu – e suksesin po i ndoqe udhëzimet tona e ke t’garantum.
Duhet me ditë që kur gostitë ma shumë mysafir ( ma shumë se 10 persona), nji tryezë ku secili mundet me u vet-shërby (byfe e hapun) kish me qenë nji zgjidhje ideale dhe praktike – sepse jo çdokush ka qejf me hangër çka i caktohet. Andaj edhe ne i kemi zgjedhë disa “Finger Food”, ambëlina dhe disa sygjerime pijesh ku secili mysafir mundet me e gjetë vehtën. Ndërkaq, nji prej mënyrave ma t’lehta e unike me ja ndreçë dikujt “jungle party-n” asht me i qëndru besnik/e motos n’t’cilën thirret ndeja duke e ndjekë nji vi mendimi n’kompletimin e tryezës, sikurse n’shembujt e maposhtëm:
1. “Jungle” shtapiqa me kikirik.

“Jungle” shtapiqat janë definitivisht nji prej ushqimeve që nuk duhet me t’mungu n’ditëlindjen që po e gostitë për fëmijun tand. T’ehta me u përgatitë, por edhe interesant me u pa, këta shtapiqa t’mbushun me kikirikë janë nji alternativë praktike dhe estetike që me e ba ndejën vërtetë me i lanë mbresa jo veç fëmijëve, por edhe t’rritunve. Kështu, krejt çka t’duhet janë disa shtapiqa me kikirik, pak çokollatë e bardhë dhe e zezë edhe pak ngjyrorës i portokallt i ushqimit. Përzije çokollatën e bardhë me ngjyrë, mbuloji 2/3 e shtapiqit me çokollatën e shkrirë dhe me çokollatë t’zezë krijo lara ose pika për me kriju gëzofin e tigrit apo gjirafës. Kurse për me kriju zebra, veç e përsëritë t’njejën procedurë, por pa i shtu ngjyrë portokalli çokollatës t’bardhë.
2. “Gjirafë” rollatë

Asht ba e zakonshme që fëmijëve me ju porositë torte t’bukura, me shumë detaje e t’mbulume me marcipan – ushqim dekorues ky që përfundon n’shportë t’bërllogut e kërkush nuk e han, si dhe torte këto që vërtetë janë shpenzim i panevojshëm, veëanarisht kur e kujtojmë që fëmijët lehtë mahniten e mashtrohen me ambëlsina t’thjeshta sikurse asht gjirafë-rollata ose zebra-keku. Mjafton me e nda brumin e rollatave t’zakonshme n’2 pjesë, ku njanës i shtohet kakao e tjetra masë lihet e bardhë, me i vendosë masat n’tepsi n’formë zebre e me e pjekë koren, me e ly me krem vanille ose çokollate e me e servu. THjeshtë, mirë, lirë dhe n’përputhje me tripin e kësaj ndeje, këtë rollatë kanë me ta fshi fëmijët pa pikë problemi.
3. “Zebra” choco rice-cakes

Asht mirë me e kuptu që kur gostitë mysafirë t’vegjël nuk ke nevojë me u mundu me përgatitë ushqime me shumë përbërës, meqë shumica e fëmijëve janë kajdejgi n’ushqim. Kësisoji, nji mundësi e mirë dhe praktike me përgatitë diçka interesante për ta, por që edhe sigurtë e hajnë asht përgatitja e keksave t’orizit me çokollatë n’formë zebre. Kështu, keksat e orizit i mbulon tanësisht me çokollatë t’bardhë dhe sipër krijon lara me çokollatë t’zezë. E nëse veç t’ka mbetë harxh e ngjyrë prej “jungle” shtapiqave, atëherë lirisht mundesh me i kriju edhe kekët e orizit me çokollatë që i ngjajnë tigrit dhe gjirafës.
4. “Tigër” mandarina

Edhe tigër-mandarinat, njilloj sikurse edhe rekomandimet e masipërme janë dëshmi se nuk ka nevojë me harxhu shumë pare, dhe se fëmijët mundesh me i kënaqë me pak. Mjafton me i marrë e me i vizatu lëvoret e mandarinave me marker n’formë tigri e me i vendosë n’nji pjatë t’thellë që suksesshëm mei shti vocërrakët me e marrë edhe naj vitamin si n’fore.
5. Shkoptha “Gjirafë” me virshlle dhe djathë

Me veç 2 përbërës, disa shkoptha dhe disa letra/kartonë n’formë gjirafe t’cilat mundesh me i përgatitë me pak mund vet, ose me i ble n’dyqane/librari, ti mundesh me ja shtu hijeshinë ndejës duke kriju shkoptha që duken si gjirafa. Mjafton me marrë shkoptha skare, me i pre virshllet e kashkavallin n’copëz t’vogla dhe me i radhitë n’shtaga, t’cilave paraprakisht ua ke vendosë “kokën” e gjirafës n’njanin skaj. E për me u pa, mundesh shkopthat me i vendosë n’nji gotë a enë t’thellë e me i servu n’tryezë.
6. Kafshata “mollëkuqe”

Bashkoja tryezës edhe kafshatat “Mollëkuqe” duke përdorë keksa t’njelbët, pak krem-djathë, tomatina, magdanoz e ullinjë e kqyri fëmijët qysh kanë me u gëzu kur t’i shohin ato. Mjafton me i nda tomatinat n’4 pjatë, me i vendosë 2/4 e tyre sipër keksave me krem-djathë e me i shtu pikëza ullini sipër krahëve, copëz ullini para e me krem djathë e ullinjë me ua ba sytë. Kësisoji, ‘pos që duken bukur, këto kafshata n’fund nuk ke me i pa hiç.
7. “Kafshë” sanduiça me gjalpë kikiriku, reçel dredhëze dhe çokollatë

Fëmijët mendojnë dhe gjykojnë me sy – andaj, nëse don me i shti me hangër gjersa janë t’u lujtë e t’u u dalldisë, shishmojau t’ngrsnunit me sanduiçë n’formë t’kafshëve t’cilët lehtësisht mundesh me i kriju me kallëp keksash n’forma t’ndryshme (gjirafë, luan, elefant, delfin, dinosaur etj). Mjafton me i ly ato me reçel dredhëze, gjalpë kikiriku a çokollatë e me ju dhanë formë me kallëp.
8. “Jungle green” sanduiça me kastraveca

T’njejëtën teknikë t’formësimit t’sanduiçëve mundesh me përdorë edhe për përgatitjen e sanduiçëve me kastraveca dhe krem-djathë t’cilët shumica e fëmijëve i hajnë – pikërisht sepse janë t’thjeshtë sa i përket përbërjes. Por, nëse nuk ke kallëp t’tullë, mjafton me i servu sanduiçët n’formë trekandëshe – sepse, vërtetë edhe kështu duken bukur dhe e kompletojnë pamjen e një tryeze “Jungle”.
9. Pjatë humusi “Luan”

Besona që ne e dijmë se sa e vështirë asht me i shti fëmijët me hangër perime, ama nuk asht e pamundun – këtë e dëshmon edhe pjata e humusit me perime sikurse selino, kastravecat, karrotat dhe specat paprika, t’ciilat bashk me keksa t’njelbët, ullinjë dhe tomatina dhe humusin n’mes e krijojnë nji pjatë joshëse për fëmijët e pranishëm n’ahengun tand. Andaj, mos e le pa e shtu n’meny edhe këtë pjatë dekorative, plot shije dhe vlera ushqyese.
10. Limonata tropikale

N’nji party t’tillë nuk kanë pse mungojnë as pijet freskuese, t’cilat nuk ke nevojë me i ble (meqë kanë shumë sheqer), por mundesh me i përgatitë vet. Kështu shfrydh disa limona, shto pak mjaltë ose sirup panje, do gjethe mente, akull e ujë dhe servo n’enë t’thella. Njilloj mundesh me përgatitë edhe limonatë portokalli dhe pjeshke, duke i shtrydhë ato fillimisht n’blender e pastaj me i trazu me ujë dhe përbërësit e tjerë.
11. “Jungle” limonata

Ngjashëm me limonatat tropikale ti mundesh me përgatitë edhe limonatën e gjelbërt, e cila i shkon motos t’xhunglës n’mënyrë perfekte. Krejt çka t’duhet asht që limonatës me limon me i shty pak ngjyrosës ambëlsinash ngjyrë t’gjelbër dhe me e përzi masën mirë. E për ekstra shije dhe dekor, shto rriska limete dhe kivi brenda enës ose gotave n’t’cilat e servon limonatën – mirë për sy, dhe jo vetëm.
12. Jungle” cupcakes
Nëse ke qejf mos me e maltretu as vehtën e as tjerët për pjata e enë, ataherë mënyra ma mirë e ma praktike për servim t’ambëlsinave asht me porositë ose gatu Cupcakes – meqë hahen ma lehtë, por edhe e kompletojnë pamjen e secilës tryezë. Ne t’rekomandojmë me shku me shije klasike vanille ose limete dhe mos me i ngarku shumë me detaje këto ambëlsina. N’vend t’dekorimit t’kekut me marcipan (i cili zakonisht nuk hahet dhe gjuhet posht) ne t’rekomandojmë me vendosë shkoptha dekorativ me detaje “Jungle” ose me kafshë lodra sikurse n’shembullin lartë. Kësisoji edhe ambëlsinat duken bukur, edhe hahen tanësisht + fëmijëve ju mbetet nga nji lodër kujtim.
Mos harro me shtu fruta t’ndryshëm sikurse bananet, kivi, dredhëzat, portokalli e ananasi n’tryezë. Kësisoji këto fruta sa kanë funksion dekorues, poaq janë edhe t’ngranshëm dhe pa qare dikush zgatet e merr pak nga to.
Pavarësisht se çka vendosë me provu e gatu, ne urojmë që n’fund ti e t’tjerët, veçanarisht fëmijët me u nda t’kënaqun. Mos harro që me randësi asht n’fund t’fundit me kalu mirë bashk me mysafirët dhe me investu n’mirëpritje, muhabet e atmosferë t’mirë.
Kujdes mos përgatit edhe tepër shumë ushqim e me t’shku dam – andaj, mos ha me sy, por mendo mirë për racionet që i servon. Ti njilloj mundesh me kqyrë edhe çka me përgatit’ nëse nji “pink baby shower” po e gostitë, nji “Blue baby shower”, ose nji “bridal shower” e pse jo me u inspiru edhe prej rekomandimeve që i kemi vendosë për këto evente. Gëzuar! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria
Përgatiti:
