Shtetet e Bashkume t’Amerikës sot festojnë 247-vjetorin e pavarësisë e ne pa dyshim, me shumë t’drejtë i gëzohemi festës amerikane si me kanë e jona, meqë vërtetë ky vend na asht gjindë shumë dhe ua kemi pa hajrin. Madje, ata që kanë shoqni apo punojnë me amerikanë, me shumë gjasë munden me festu sot dikund bashk me ta këtë datë. Megjithatë, jo secilit i bahet me shku dika, por edhe shumë njerëz kanë qejf edhe me i nderu miqt e tyne me nji ndejë n’oborr a n’hapësira private.
Idetë e ndryshme për ushqim, servim dhe dekorim t’pjatave festive janë element i randësishëm i cilësdo festë. Kujdesi për detaje, servim e dekorim asht hap i randësishëm dhe që e ban diferencën n’raste ma speciale. Pjatat festive nime i japin hijeshi edhe ma shumë secilës tryezë, veçanarisht kur kemi motive t’mëdhaja për me nda gëzimin me ma t’dashtunit tanë. E që nuk don diskutim sa e randësishme asht nji meny e begatume dhe e kurume mirë e dëshmojnë ma s’miri eventet sikurse janë ditëlindjet e ma t’dashurve tanë – picimulëve simpatik.
N’qoftë se je ka e organizon nji “4th of July party” për shoqninë tande amerikane dhe je n’kërkim t’recetave e t’pjatave interesante dhe unike si n’shije ashtu edhe n’pamje, atëherë qe ku t’i kemi mbledhë idetë ma t’mira t’mundshme n’nji artikull t’vetëm dhe ta kemi shpjegu se qysh mundesh secilën prej tyre me e realizu – e suksesin po i ndoqe udhëzimet tona e ke t’garantum.
1. 4th of July Meze / Hot Dog Meze
Nji prej ushqimeve tipike amerikane dhe që nuk ish dasht’ me mungu n’asnji prej festave amerikane padiskutimisht asht hot dog-u. E me patjetër që nji meze e tillë e mbushun me hot dog-ë amerikan e begaton secilën tryezë. Andaj, shko bleji bukët e hot dog-ëve, merr e fërgo ose pjek n’skarë virshlle dhe sernditi ato n’nji pjatë a dërrasë për meze. Mos harro me i shtu secilit hot dog keçap dhe mustardë / senf, por edhe me i shoqnu ato me çipsa, salsa t’ndryshme sikurse janë guacamole, salsa pikante meksikane, salca me djathë feta etj. Madje për ektra shije mundesh me i shtu mezes edhe fruta, bostan dhe nji sallatë patatesh me mustardë.
2. 4th of July pjatë frutash dhe copëza keku
Nji prej mënyrave ma t’lehta e ma praktike për me e ba ndejën tande me u përshtatë me moton që ka, asht me vendosë n’tavolinën e ushqimeve pjata e meze që kombinohen apo i ngjajnë flamurit amerikan. Kështu, nji pjatë meze me fruta dhe kek vanille apo limoni asht krejt çka t’duhet që n’mënyrën sa ma praktike me arritë me e imitu flamurin. Krejt çka t’duhet asht me i pre dredhëzat n’copëza mesatare e me i radhitë n’formë t’shiritave nga nji rend, e rendin pasues me e mbushë me copëza keku. Ndërkaq, për pjesën e kaltërt me i shtu boronicat qoftë n’pjatë katrore, qoftë me i pozicionu ato n’formë katërkandëshe.
3. 4th of July meze kapreze
Ngjashëm sikurse mezen me fruta dhe kek, ti mundesh me e kriju edhe mezen kapreze n’formë t’flamurit amerikan, veçse krejt çka t’duhet asht me i renditë domatet dhe mocarellën n’mënyrë horizontale nji mbi nji dhe sipër boronicave me shtu copëza djathi Brie t’prera n’formë ylli. Mos harro me i shtu vaj ullini sipër mezes dhe uthullën balsamike e brusketat me gjithë borzilok me i lanë anash për kando që don me i hangër.
4. American Mac ‘n’ Cheese
Amerikanët kanë ditë diçka që e kanë shti këtë pjatë n’listën e ushqimeve t’komfortit, ose qysh njihen n’anglisht “comfort food”. Andaj, nëse veç e ke n’plan me e ba nejën “Amerikanski”, mos e le pa e përgatitë nji sasi t’konsierueshme t’pastave amerikane t’njohuna si “Mac ‘n’ Chese”, t’cilat n’6 hapa mundesh me i përgatitë e me i servu n’pjata t’vockla.
5. Mini-pancakes / mini-petulla amerikane
Petullat amerikane, apo ndryshe t’njohuna si “Pancakes” janë nji ndër ushqimet e preferume kudo nëpër botë. T’shoqnume me çkado t’ambël, ato kanë arritë me e ba mëngjesin nji vakt n’t’cilin “ambëlsina” asht e justifikushme për konsum. E ti e ke rastin me i përgatitë dhe servu ato n’nji datë sikurse asht 4 Korriku. Kështu, për me e ba ma interesant, përgatiti ato n’forma ma t’vogla dhe shoqnoji me dredhëza, boronica dhe manaferra qoftë n’mënyrë t’rëndomtë, qoftë n’formë mezeje amerikane, sipas udhëzimeve t’masipërme. Mos harro me kriju yje prej rriskave t’bananes, dhe me i shoqnu pjatat me pak gjalpë, sirup panje (maple syrup) dhe proshutë “Bacon” – n’daç me i dhanë ektra shije petullave.
6. Limonatë
Krejt e kemi pa n’filma e n’seriale sa t’dhanun janë mbas limonatave amerikanët, veçanarisht gjatë verës. Shtande ku fëmijët e nxanësit shesin limonata gjatë pushimeve verore janë praktikë tipike e kulturës t’tyn, prandaj edhe nuk kanë qysh mungojnë edhe n’ndejën që je ka planifikon me organizu. Kështu, ti mundesh me e përgatitë n’dy hapa t’thjeshtë recetën klasike t’limonatës e me i fresku mysafirët me nji super pije jo-alkoolike.
7. 4th of July parfait frutash
Nëse n’listën e mysafirëve e din që ke edhe njerëz që kujdesen n’ushqim dhe nuk hajnë ushqime kalorike tipike amerikane, asht mirë me i pas’ edhe ata n’konsideratë e me servu diçka t’përshtatshme dhe t’kojshme edhe për ta. Nji mënyrë e mirë për me ba nji gja t’tillë asht me i servu disa parfait-a me fruta mali – meqë edhe ngjyrat (bardh, kuq e kaltër) kombinohen mirë me jogurtin, dredhëzat, boronicat e manaferrat. Mjafton me i radhitë me rend përbërësit brenda gotave apo enëve n’t’cilat ke qejf me i servu.
8. Muffins me boronica / Blueberry Muffins
Muffins-at janë padiskutimisht nji prej gatesave tipike amerikane që e karakterizojnë popullin amerikan dhe me t’cilët ata mburren dhe me t’drejtë, meqë vërtetë shijojnë shumë, nuk janë t’zorshëm me u përgatitë dhe munden me u ngranë n’çdo vakt t’ditës t’shoqnume me ni kafe t’zezë. E nji prej recetave tipike amerikane dhe klasike asht ajo e muffins me boronica – kombinim ky që mundesh kudo n’ShBA me e gjetë. Ne t’rekomandojmë me i gatu ato vet, meqë n’3 hapa e me shumë pak harxh mundesh me i pas’ gati brenda pak minutave.
9. Birra t’ftohta
Nuk don diskutim që shumica e amerikanëve konsumojnë alkool, veçanarisht nëse përgatisin BBQ apo festojnë. E aq ma pak ka vend për mëdyshje se nji prej pijeve ma t’preferume t’tyre asht birra, e cila sa ma e ftohtë që asht, asht aq ma e mirë. Për qata, po ta rekomandojmë me i ble disa birra e me i ftohë mirë, por edhe me i vendosë n’friz disa gota n’mënyrë që kur t’e shërbejsh birrën, ajo me qenë sa ma e ftohtë për meraklitë e saj.
10. 4th of July shkoptha me feta dhe bostan
Që bostani kombinohet shumë mirë me djathë feta e dëshmon receta e sallatës me bostan dhe feta, e cila ofron sa shije unike dhe freskuese, poaq edhe vlera ushqyese. Kështu, meqë ngjyrat e ushqimeve i shkojnë motos t’ndejës, po aq sa edhe shijojnë mirë bashk, ne t’rekomandojmë që kubëzat e fetës dhe bostanit me i bashku me boronica dhe gjethe mente e me kriju nji pjatë “starter” ideale për gostinë e sotshme.
Këto 10 rekomandime janë veç disa prej sygjerimeve t’tona ma t’thjeshta, praktike dhe t’shijshme t’cilat brenda pak kohe mundesh me i përgatitë, pa pas’ nevojë me ba harxhime t’mëdhaja, por duke shkëlqy n’pritje dhe dekorim. E pavarësisht se çka vendosë me provu e gatu, ne urojmë që n’fund ti e t’tjerët me u nda t’kënaqun. Mos harro që me randësi asht n’fund t’fundit me kalu mirë bashk me mysafirët dhe me investu n’mirëpritje, muhabet e atmosferë t’mirë.
Kujdes mos përgatit edhe tepër shumë ushqim e me t’shku dam – andaj, mos ha me sy, por mendo mirë për racionet që i servon. Ti njilloj mundesh me kqyrë edhe çka me përgatit’ kur nji “Jungle” party , ose nji “Elsa / Frozen” party je t’u e gostit’, nji “pink baby shower”, nji “Blue baby shower”, a nji “bridal shower” e pse jo me u inspiru edhe prej rekomandimeve që i kemi vendosë për këto evente. Gëzuar! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria