Nuk don diskutim që perimet dhe frutat janë ndër ushqimet ma t’nevojshme e ma ushqyese t’cilat domosdoshmërisht secili prej nesh duhet me i konsumu. T’mbushuna me vitamina, sheqer t’nevojshëm, yndyrë, fibra, minerale, perimet janë t’domosdoshme për secilin organizëm.
Shumë njerëz e kanë t’vështirë me hangër perime t’caktume e n’disa raste nuk i konsumojnë hiç. Kjo ndikon që ata me marrë vlera ma t’pakëta ushqyese, me e damtu e zbehë imunitetin , veçanarisht nëse janë tipa që zgjedhin ushqim; njerëz me kajde. E nji qasje e tillë refuzuese ndaj perimeve sidomos tek fëmijët mundet me ndiku n’zhvillimin e tyre. Prandaj, asht mirë me gjetë alternativa e metoda kreative qysh me i përfshi perimet n’shujtat ditore, E ne po i ndajmë 5 zgjidhje kreative dhe praktike me ty.
1. Përgatit smoothie me fruta dhe perime
Smoothie-t janë nji prej pijeve/ushqimeve ma t’shnetshme për konsum, sidomos përgjatë mëngjeseve, mes-shujtave ose para/pas ushtrimeve t’ndryshme, E shumica prej nesh jemi mësu me i konsumu me fruta t’ndryshme, por a ke provu ndonjiherë me i kombinu frutat e ndryshme me perime? Nëse jo, atëherë ta rekomandojmë me e ba nji gja t’tillë, meqë n’shumë raste ku dominojnë frutat, por ka edhe nji sasi t’vogël t’perimeve n’smoothie – shija e perimeve as që hetohet. Kësi soji, smoothie-t sikurse smoothie me bostan dhe kastravec, smoothie me mollë dhe rrepë t’kuqe, smoothie me spec t’kuq dhe dredhëza, smoothie me qershi dhe lulelakër, smoothie me kungulleshë e boronica, apo smoothie me karrotë dhe dardhë kanë me ta ndrru përceptimin mbi shijen e pijeve që përmbajnë perime, meqë benefitet e perimeve ke me i marrë, por pa e hetu fare shijen e tyre. Poashtu, nëse ke fëmijë dhe je ka provon me i ushqy ma mirë – këto receta kanë me t’hy n’punë po i provove.
2. Përgatit supa kremoze perimesh
Krem-supat po që janë ndër ushqimet tona ma t’preferume, sidomos për neve që kemi qejf me u ushqy me lugë e me hangër pak ma langshëm, por, njiherazi janë edhe zgjidhje e mirë për me përfshi perime që zakonisht n’rrethana t’tjera nuk i kishim hangër, meqë kur kombinohen mirë me përbërës tjerë dhe kur bluhen n’blender nuk hetohen aspak, biles ndodhë që edhe i japin ekstra shije recetës – anipse, sikur t’i kishim pa copëzat e nji perimi t’caktum (qepës a hudhrës) nuk e kishim shti kurrë n’gojë as edhe nji kafshatë. E ndër supat ma t’pasuna përnga vlerat ushqyese padiskutimisht që janë: krem-supa me selino, supa me karrotë dhe xhenxhefil, krem-supa me lulelakër, krem-supa me brokolli, supa me kungulleshë dhe parmezan, por edhe supa “virale” e domateve. Mjafton me i kushtu pak kohë perimeve me i zi e me i blu t’gjitha perimet bashk me langun e supës n’blender.
3. Përgatit sosa e salca me perime
Krejt kemi qejf me grickatë kapak e me ja prishë pak me ushqime krokante bukës, ose me i shiju netët me pak meze, gricka, çaj a alkool qoftë t’u nejt vet, apo edhe me miq e familjarë. Plot prej neve madje e shijojnë nji pjatë me salca e sosa t’ndryshëm, e këtë fakt i mundesh me e shfrytëzu që vehtës dhe tjerëve me i ofru alternativa t’shnetshme e t’mbushuna me perime edhe nëse nuk ke fort merak n’perime. Kështu, sosat e salsat e ndryshme sikurse janë: “Guacamole”, salsa pikante meksikane, sosi i famshëm grek “Tzaziki”, sosi oriental “Babaghanoush”, sosi i pasulit me spec jo veç që janë t’lehtë me u përgatit’ dhe nuk marrin shumë kohë e harxh, por janë edhe t’ngjyme që shumica nuk munden me ju rezitu – edhe nëse nuk janë fort fort merakli t’perimeve – e pse mos me e shfrytëzu këtë rast e me u ushqy ma mirë?!
4. Përgatit qofte me perime
T’shijshme e lehtësisht t’kombinushme me ushqime t’tjera, qoftet vazhdojnë me mbetë nji prej ushqimeve favorite t’shumëkujt prej nesh dhe me t’drejtë. Megjithatë, jo çdo recetë arrinë me ofru rezultatet dhe me i tejkalu pritshmëritë e shumicës kur bahet fjala për qofte që t’lajnë pa mend, E recetat klasike mundesh lehtësisht me i ndryshu e adaptu pak n’versione ku përfshinë ngapak perime brenda masës me mish viçi a pule dhe me kriju nji version ma vitaminoz t’qofteve, sikurse janë qoftet me pulë dhe perime. Ti poashtu mundesh lehtësisht me përgatit’ edhe qofte vegane e vegjetariane ku perimet bluhen e imtësohen paraprakisht dhe nuk vërehen shumë, madje edhe janë me raste edhe ma t’shijshme sesa versionet klasike t’qofteve me mish. Kështu, qoftet me lulelakër, apo brokolli-qoftet janë ideale për konsum t’përditshëm edhe për ty a kando që nuk ka fort merak n’perime.
5. Përgatit muffins-vezësh me perime
Mëngjeset e nisuna mirë, janë ato mëngjese ku ushqehemi mirë. Andaj edhe asht mirë me e përgatitë nji mëngjes t’mbushun me vlera ushqyese e t’shnetshëm. Asht e pashmangshme që n’nji mëngjes t’mirë e t’begatshëm me mungu perimet, e ne mirë e kuptojmë që për njerëz kajdegji duhet me ardhë me alternativa kreative, ku perimet ose shihen pak, ose kombinohen tepër mirë me pjesën tjetër t’ushqimit. Kështu, përgatitja e muffin-vezëve me perime t’ndryshme asht nji prej opsioneve ma t’mira për me i përfshi perimet n’vaktin ma t’randësishëm t’ditës. Mjafton me zgjedhë perime e me i pre imët, pse jo edhe me i lanë copat pak ma t’mëdha po t’shijoi ndonji perim e me i përzi me vezë t’rrahuna, duke i pjekë n’kallëpe t’muffinsa-ve që zakonisht i joshin shumë edhe fëmijët.
Për neve asht me randësi me e promovu nji stil jetese sa ma t’shnetshme, por pa pas’ nevojë me hjekë dorë prej shijeve t’mira. Andaj asht mirë që rekomandimet e recetat tona me i njekë po mendove qqë munden me t’hy n’punë dhe me kontribu n’shnetën tande apo t’fëmiut tand dhe me provu që këto alternativa me i ba pjesë t’praktikave t’tua n’mënyrë që me e pasë ma t’lehtë punën n’kuzhinë.
E mos e le pa i kuptu se cilat janë 5 gabimet ma t’shpeshta që bahen n’kuzhinë dhe qysh mundesh me i shmangë ato, si dhe cilat janë 5 këshillat praktike që secili merakli i kuzhinës DUHET me i ndjekë. Kësisoji, çkado që ke me përgatitë, me shumë gjasë ma t’madhe ka me t’dal ma e mirë, pa pasë ti nevojë me e stër-mundu vehtën. Andaj, mos ua ndajë këtyre sygjerimeve! /katror.info/
Ky artikull është përgatit’ nga Kaltrina Zhushi. Për me pa receta të mira dhe te shëndetshme, mundeni me e vizitu blogun e saj në Instagram @gurmaneria